Kryeparlamentari Xhaferi realizoi takim me Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë

E mërkurë, 20 nëntor 2019, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Kryetari Xhaferi theksoi se kjo vizitë është me rëndësi të veçantë për të, duke pasur parasysh se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve zhvillohen në nivelin më të lartë dhe janë pa çështje të hapura.

Ai vu theks të veçantë në statusin aktual të dy vendeve në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe shtoi se, edhe krahas mosmarrjes së datës për fillimin e negociatave, beson në kredibilitetin e Unionit dhe në kapacitetin e Këshillit për të njohur momentin dhe për të dhënë dritë jeshile për fillim.

Kryetarja e Komsionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Kodheli, shprehu kënaqësi të madhe për realizimin e këtij takimi. Ajo e përshëndeti punën e Kryetarit Xhaferi, veçanërisht në këtë periudhë të ndjeshme për të dy vendet që vazhdojnë me intensitet edhe më të madh në mbylljen e çarjeve në murin që momentalisht qëndron në rrugën kah BE.

Kryetarja Kodheli shprehu bindjen se kjo pasiguri do të tejkalohet, e bindur se me ngjarjet aktuale në union dhe me fillimin eventual të negociatave, të dy vendet do të dëshmojnë pjekuri në proces dhe do e ndryshojnë perceptimin e vendeve anëtare të BE-së ndaj rajonit.

Në takim me kontribut të vet u inkuadruan edhe anëtarët e Delegacionit nga Shqipëria të cilët ishin në përbërje të përzier, respektivisht përfaqësues të pushtetit dhe opozitës dhe me këtë në fakt e dërgonin mesazhin i cili vlen edhe për skenën tonë politike, gjegjësisht, kur bëhet fjalë për çështje të mëdha, shtetërore dhe thelbësore për ardhmërinë e dy vendeve, për ardhmërinë e rajonit, të gjithë faktorët politikë janë në anën e njëjtë, në anën e rezonit dhe kompromisit dhe angazhohen sinqerisht dhe në mënyrë konstruktive në përmirësimin e klimës politike në skenën vendore.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se për rajonin, nuk ka rrugë tjetër përveç anëtarësimit të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe në NATO, me ç’rast, pasurimi i marrëdhënieve bilaterale në sferat e ndryshme si ekonomia, arsimi, kultura, turizmi, infrastruktura dhe fushat tjera me interes të përbashkët, mund të jetë vetëm vlerë e shtuar për vendet dhe për rajonin.” – shprehen nga Kabineti i Kryeparlamentarit Xhaferi