Kryetari i BFI-së takoi ambasadorin e Kosovës

Kuran i artë për Ambasadorin Dedaj

Për herë të parë që nga dorëzimi i letrave kredenciale në Republikën e Maqedonisë, Ambasadori i Republikës së Kosovës z. Gjergj Dedaj, i shoqëruar nga konsulli i Ambasadës së Kosovës z. Agim Krasniqi, vizitoi Rijasetin e Bashkësisë Fetare Islame, ku u prit nga Kreu i këtij institucioni fetar Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi.

Në një takim të ngrohtë miqësor, Efendi Rexhepi i bëri një prezantim të shkurtër të BFI-së Ambasadorit Dedaj, duke theksuar ne vecant institucionet edukativo arsimore si Medreseja Isa Beu dhe Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup. Gjithashtu u fol edhe për sfidat me të cilat përballet BFI dhe arritjet e deri tanishme në sferën e organizimit të jetës fetare dhe të realizimit të të drejtave të popullatës myslimane në vend, e cila përbëhet mbi 85 përqind nga populli shqiptar.

Nga ana tjetër, Ambasadori Dedaj shprehu kënaqësinë e tij për mikpritjen dhe prezantimin që i bëri Reisul Ulemaja dhe shprehu gatishmëri për një bashkëpunim të ndërsjellë në të ardhmen mes Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe Bashkësisë Fetare Islame, duke potencuar se Ambasada e Kosovës për BFI gjithmonë do të jetë e hapur.

Në shenjë respekti, falënderimi dhe kujtimi nga kjo vizitë, Reisul UIema H. Sulejman ef Rexhpi i dhuroi një plakete me Kuran të artë Ambasadorit Dedaj, plaketë kjo që është edhe emblema e Bashkësisë Fetare Islame.