KRYETARI I VATRËS, NË MBËSHTETJE TË KANDIDATIT PËR KONGRES COLIN SCHMITT

Nga Sokol PAJA- DIELLI

Të Hënën më datë 21 Qershor 2021 në New York, kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të afërt mbështetën fuqishëm kandidatin për Kongres Colin Schmitt. Patriotë shqiptaro-amerikanë, miq, të ftuar, biznesmenë, media, specialistë fushatash elektorale, lobues dhe përfaqësuesit më në zë të komunitetit shqiptar në New York dhe jo vetëm, organizuan një mbrëmje festive të udhëhequr nga kryetari i VATRËS z.Berisha në mbështetje të pakursyer ndaj kandidatit për Kongres Colin Schmitt i cili kandidon në Zonën 18-të New Jorkut. Takimi i shumëpritur ishte shumë emocionues për vlerësimin që kandidati për Kongres Colin Schmitt kishte për shqiptarët të cilëve u premtoi se tek ai do të kishin një mik dhe një zë të fuqishëm në Uashington. Mbështetja për kandidatin Colin Schmitt është një shenjë vlerësimi dhe respekti që kandidati për Kongres Schmitt ka ndaj komunitetit Shqiptaro-Amerikan, tha z.Berisha i cili siguroi se kjo kandidaturë është e duhura për të ringritur jo vetëm zonën lokale por edhe ekonominë kombëtare. Fitorja e z. Schmitt tha kryetari i VATRËS do të përkthehet në një sukses të madh edhe për shqiptaro-amerikanët. Kandidati për Kongres Colin Schmitt në hapje të takimit elektoral u ndal te platforma e tij elektorale ku në themel të programit janë: Rehabilitimi i ekonomisë lokale e rajonale, krijimi i vendeve të punës, forcimi i sigurisë së jetës, përkrahja ndaj policisë dhe organeve ligjzbatuese dhe rritja e sigurisë publike. “Shqiptarët do ta kenë zërin e tyre të fortë në Uashington. Unë do të loboj fuqishëm për çështje shqiptare në Uashington. Unë do ta mbështes pavarësinë e Kosovës dhe do loboj që Kosova të njihet dhe nga ato shtete që ende nuk e kanë njohur. Tek unë do keni një mik të madh dhe një lobues të fortë. Nëse fitoj, të gjithëve ju që jeni këtu sonte do u ftoj në betimin tim në Kongres. Nuk do ju braktis kurrë dhe do jem përherë në krahun tuaj. Na duhet një komb i bashkuar, jo një komb i ndarë. Amerika nuk ka nevojë për politika socialiste që shkatërrojnë vendin por për vende pune, zhvillim ekonomik dhe sigurinë e fortë publike” tha ndër të tjera kandidati për Kongres Colin Schmitt. Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra z.Elmi Berisha pasi falënderoi miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë shqiptaro-amerikanë ndër të tjera tha: “Është koha të ringrihemi. Është koha të mendojmë për familjet tona, për ekonominë tonë, sigurinë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Miku im Colin Schmitt është kandidati i duhur për të ardhmen, një mik i shqiptarëve, do ta forcojë lidhjen e miqësisë shqiptaro amerikane. Te kandidati për Kongres Colin Schmitt shohim një investim amerikan afatgjatë për çështjen shqiptare. Shqiptarët i dedikojnë një mirënjohje të thellë Administratës Amerikane që nga koha e Presidentit Uillson 100 vjet më parë e deri më sot. Mirënjohje Presidentëve Bush, mikut të madh të shqiptarëve Bob Dole e mbështetësve të panumërt që shqiptarët kanë pasur në Kongres, Senat dhe në Shtëpinë e Bardhë. Nëse s’do kishim mbrojtjen dhe mbështetjen e Amerikës, ne nuk do ekzistonim si shtet e mbase as si komb” u shpreh kryetari i VATRËS. Takimi u mbyll me një darkë solemne të shtruar nga kryetari z.Elmi Berisha me premtimin e mbajtjes së një miqësie të fortë të kandidadit për Kongres Colin Schmitt me shqiptaro-amerikanët të cilët i vlerësoi dhe i quajti faktor shumë të rëndësishëm në këto zgjedhje.
*Për më shumë kronika nga komuniteti dhe vendlindja, analiza, komente, dossier, na ndiqni në të përditshmen online www.gazetadielli.com-Po ashtu ne na gjeni edhe ne Facebook Gazeta Dielli