Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe BFI me projekte të përbashkëta

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka mbajtur më 11 prill, 2019, në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup (FSHI), një takim akademik me përfaqësues të ndryshëm të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të shteteve të ndryshme. Prezent ishin Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef Rexhepi, Mustafa Dauti-kryetar i organizatës “Hilal”, dekani i FSHI Shaban Sulejmani, myftilerët e BFI-së, profesorë të Fakultetit dhe të Medresesë, studentë etj.
Me referatet e tyre u paraqitën Kelemend Mahmoud, delegat i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për Rrjetëzim dhe Vizitë Burgjeve; Daniela Malijanska-Mitevska, përfaqësuese e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për Maqedoninë e Veriut dhe të ftuar të tjerë.

Reis’ul-Ulema Sulejman ef. Rexhepi i përshëndeti të pranishmit në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe paraqiti kumtesën “Mëshironi në tokë, që të jeni të mëshiruar nga qielli.”  Institucioni ynë – tha ai – vazhdimisht ka qenë në krah të më të dobëtëve, të hallexhinjve, të atyre që veç shpirtit dhe Zotit të madhërishëm nuk kanë pasur askënd tjetër afër, për të shpëtuar kokën dhe për të mbajtur gjallë shpirtin.

Të udhëhequr nga shpirti human, nga obligimi vëllazëror, humanist, për të ndihmuar njerëzit – pavarësisht feve dhe bindjeve të tyre politike – tha në vazhdim h. Sulejman ef. Rexhepi, ne si institucion që përfaqësojmë komunitetin mysliman në Republikën e Maqedonisë së Veriut kemi bërë maksimumin edhe për refugjatët në vitet 2015-2016, pas luftës në Siri, të cilët (mbi 1 milion) kaluan “nga Gjevgjelia në Tabanoc” drejt Evropës, në të cilin rrugëtim OH “Hilal”, por dhe besimtarët e thjeshtë, të të 13 myftinive tona, u dolën në ndihmë emigrantëve, duke i ndihmuar me ujë dhe me bukë, me ilaçe dhe me lutje në tejkalimin e vështirësive të tyre në këtë pjesë të rruzullit tokësor.

Me një fjalë, Bashkësia Fetare Islame mbetet e hapur për të dhënë përkrahjen e vet, për bashkëpunim mes dy institucioneve – Kryqin e Kuq dhe Gjysmëhënën e Kuqe, në çfarëdo mënyrë, për shkak se jemi të vetëdijshëm se bashkëpunimi ynë i kontribuon të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe gjetjes së zgjidhjeve ku ajo e drejtë është shkelur dhe është cenuar – vuri në dukje, përveç tjerash, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi në Takimin akademik të Kryqit Ndërkombëtar në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.

https://www.facebook.com/pg/sulejmanrexhepiofficial/posts/?ref=notif