Kumanova dhe Likova kundër BESËS: U fut në kurthin e Zaevit

Assesi të rahatohet Lëvizja BESA. Pas dorëheqjes së kryetarit të Degës më të madhe të partisë në Tetovë, Gazmend Aliu, në BESA janë paraqitur pakënaqësi dhe largime tjera nga partia. Ish-deputetja Teuta Bilalli, siç marrim vesh, nuk ka pranuar të jetë kandidate në listën e përbashkët për deputetë me LSDM-në e Zoran Zaevit, ndërsa bashkë me Aliun dhe Bilallin, braktisjen e BESËS e kanë bërë edhe dhjetëra anëtarë tjerë të Degës së Tetovë. Pakënaqësi ka edhe në Degën e Likovës dhe të Kumanovës në këtë parti. Të pakënaqur me kandidimin e Bastri Bajramit, si person jashtë strukturave të partisë, anëtarë të Degës së Likovës dhe Kumanovës kanë paralajmëruar se nuk do të votojnë, por as do të bëjnë thirrje për mbështetjen e Bajramit. “Të ndikuar nga LSDM, BESA ra nën ndikimin e Zaevit që në Haraçinë, të përfocojë votat e tyre dhe, duke e parë se ka rënë dukshëm mbështetja për LSDM, Zaevi kërkoi që Bastri Bajrami, po nga Haraçina, të rikthejë mbështetjen që kishte në zgjedhjet e vitit 2016. Dhe BESA këtu e vetëdijshme për kurthin e LSDM, pranoi që ta kandidojë për bartës Bastri Bajramin, me qëllim që LSDM të ruajë votën shqiptare në këtë komunë. Ndërkohë, u shpërfill vullneti dhe puna jonë në Kumanovë dhe Likovë”, thonë në Degën e Kumanovës, ndërsa shprehen të hapur se nuk do ta mbështesin BESËN në zgjedhjet e 12 prillit.