Kurti: Kemi nevojë për një mini-Plan Marshall

Kryeministri Albin Kurti në intervistë për gazetën gjermane, “Süddeutsche Zeitung” ka thënë se duhet të ketë një mini-Plan Marshall për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne kemi nevojë për një mini-Plan Marshal për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kemi nevojë për shkolla të mira, spitale, një lidhje të mirë mes arsimit dhe tregut të punës, për t’i dalë ballë një vale të re emigrimi, që është më e madhe se gjatë pushtimit serb”, ka deklaruar Kurti.

Lidhur me dialogun me Serbinë, Kurti thotë, se nuk është kundër një dialogu me Serbinë, por ai duhet të zhvillohet me parime të qarta, që për të dyja palët të jenë të detyrueshme.

“Serbia duhet të pranojë realitetin, që Kosova është një vend i pavarur. Dhe që ne nuk mund të kthehemi në kohët e Millosheviçit. Sa më shpejt ta pranojnë këtë, aq më mirë për të dyja palët”, ka deklaruar Kurti.