Kurti premton hapjen e aksit rrugor Prizren-Tetovë

Albin Kurti i cili sot mori postin e kryeministrit nga zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli dje gjatë prezantimit të programit qeverisës, ka premtuar ndërtimin dhe lidhjen e Prizrenit me Tetovën. Përpos kësaj, Kurti ka premtuar se do ta ndërtojë edhe aksin rrugor, Gjakovë-Shkodër.

“Infrastruktura jonë duhet të jetë e plotë dhe funksionale. Ajo nuk duhet të jetë në shërbim të shteteve tjera si rrugë tranzit për të dalë në një shtet tjetër, por duhet të jetë e integruar me ekonominë tonë. Projektet infrastrukturore do të hapin rrugë të reja, jo autostrada të mbyllura, që do të na lidhin kësisoj edhe më shumë. Do ta shpëtojmë fshatin nga emigrimi dhe do ta zhvillojmë atë duke e lidhur me ekonominë nacionale. Do të ndërtojmë aksin rrugor Prizren-Tetovë dhe atë Gjakovë-Shkodër, si dhe funksionalizimin e plotë të sistemit hekurudhor brenda Kosovës”, theksoi dje Kurti, gjatë fjalimit të tij për prioritetet qeveritare të qeverisjes mes LVV dhe LDK me pakicat.