Kuvendi në prag të shpërbërjes, ende nuk ka marrëveshje për ligjin e PP-së

Pesë ditë para shpërbërjes së pritur të Kuvendit, pushteti dhe opozita ende nuk i kanë harmonizuar qëndrimet për ligjin për prokurorinë publike, përcjell Gazeta Express.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, dje deklaroi se edhe më 12 shkurt deri në ora 23:00 të vijë propozim i harmonizuar, ka mundësi procedurale që të vendoset në votim.

“Edhe deri në ora 23:00 në datën 12-të të vijë propozimi i harmonizuar ka mundësi procedurale që ky propozim të shndërrohet në ligj. Është e pakontestueshme, por në fund të mandatit para shpërbërjes së Kuvendit, vetëm të hapet seancë, ndërsa propozim i paharmonizuar edhe të shndërrohet në teatër, këtë nuk e kam për qëllim. Nuk ka nevojë nga një situatë e këtillë e tensionuar para shkuarjes në zgjedhje”, deklaroi Xhaferi.

Kryeministri teknik Oliver Spasovski është optimist se mund të gjendet zgjidhje dhe përbërja aktuale parlamentare ta miratojë ligjin për prokurori publike para shpërbërjes së Kuvendit. Ai thotë se sa të vlerësojë që ka përkrahje, do të konvokojë seancë të Qeverisë që të kalojë ligji dhe ta parashtrojë deri te Kuvendit. Kjo, thotë Spasovski, mund të ndodhë në çdo moment në ditë apo natë deri në shpërbërjen e Kuvendit.

“Nëse kjo përbërje parlamentare mundte të merrte një sërë hapash dhe të bënte shumë lëvizje të guximshme që nënkuptonin garantimin e realizimit të angazhimeve kombëtare, atëherë nuk shoh asnjë arsye pse nuk mund të ngrihet në nivel të detyrës dhe të miratohet ligji për prokurorinë publike dhe me këtë për t’i dhënë edhe një argument tjetër pozitiv Këshillit Evropian se pse duhet të fillojnë negociatat e anëtarësimit. Shumë e rëndësishme është të tregohet konsensus minimal kombëtar, që do të thotë përgjegjësi minimale ndaj qytetarëve pasi jemi në fazën e realizimit të interesave tona kombëtare – anëtarësimit në NATO dhe fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian”, tha Spasovski.