LËSHOHET JANEVA, FAMILJARI I TË DËNUARVE NË RASTIN “ALFA” I ZHGËNJYER NGA GJYQËSORI

Ndonjëherë po na humb shpresa kur shohim se si funksionon drejtësia në shtet, na habit fakti se si ka kaq shumë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, kur drejtësia për dikënd është nënë e për dikënd njerkë. Kështu ka theksuar vëllai i Rexhail Qerimit, i burgosurit për rastin Alfa. Për Jetullahin dhe familjen e tij lajmi për lirimin në paraburgim shtëpiak të ish Kryeprokurores, Katica Janeva ka qenë sa i çuditshëm aq edhe i pritshëm, pasi thotë se po përsëritet historia me funksionarët për të cilët ekzistojnë edhe video edhe audio inçizime se kanë kryer shkelje dhe përsëri po përfundojnë të lirë, ndërkohë që vëllai i tij vazhdon të vuajë dënim për një vepër të cilën nuk e ka bërë.

Jetullah Qerimi, vëllau i Rexhail Qerimit, të burgosur për rastin Alfa

“Lajmi i lirimit të Katica Janevës na erdhi shumë i çuditshëm, kur ne si familjarë të rastit Alfa, jemi të montuar që nga viti 2008 dhe megjithëse shumë kërkesa kemi bërë, dhe kërkesat e palës shqiptare nuk po pranohen asnjëherë dhe edhe ato që po pranohen po zvarriten me vite, por të palës maqedone, siç është Katica Janeva, e Gordana Jankullovska e disa të tjerë, ata vazhdimisht, brenda një muaji po merren nëpër procedura gjyqësore dhe po lirohen edhe pse me shumë fakte shihen se i kanë, a faktete e palës shqiptare për shembull, kemi video të rastit Alfa, ku nuk shihet kush është, apo kush është prapa asaj vrasje, e ata nuk lirohen, kurse ata që shihen shumë mirë dhe janë të palës maqedonase ata po lirohen menjëherë”
Qerimi edhe pse është i vetëdijshëm se ata janë bartës të funksioneve, nuk beson se padrejtësi të tilla ndodhin në ndonjë shtet tjetër përveç këtu, duke kërkuar nga sistemi që të mos funksionojë në mënyrë selektive, por t’i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabartë.

SINKRON: Jetullah Qerimi, vëllau i Rexhail Qerimit, të burgosur për rastin Alfa

Megjithëse ndonjëherë po na humb shpresa kur e shohim se çfarë politike ka këtu në shtet dhe çfarë drejtësie, na habit fakti se si jetojmë dhe si ka kaq shumë shqiptarë në shtet, kur drejtësia në Maqedoni është nën zero. Gjyqësorit i kisha kërkuar që të punojnë drejtë, jo në mënyrë selektive, të jetë për dikën nënë për dikënd njerkë, por të punojë njejtë dhe drejtësia të funksionon për të gjithë njësoj, jo të funksiojë për dikënd tjetër…Është fakt se ata që janë dëgjuar tek bombat se kanë fakte, asnjëri nuk është dënuar nga ata që janë publikuar edhe në bomba, por janë liruar, se të gjithë kanë pasur nga një arsye që të mos burgosen apo të lirohen, kurse këta të montuarit, tashmë 11 vite, tashmë po fillon viti i 12 po fillon edhe ata nuk kanë asnjë të drejtë dhe janë duke e mbajtur burgun padrejtësisht.

Na ndajnë edhe 5-ditë deri në përvjetorin e 11 të rastit Alfa, ku në parkingun e fakultetit matematiko natyror në Shkup, me një breshëri plumbash nga kallashnikovi, më 26 nëntor të 2008-tës, ishte vrarë polici shqiptar nga njësiti Alfa, 38 vjeçari Afrim Arifi. Por ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët kishte qenë në patrullë, Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Agim Islami nga Shkupi. Me nëntë vjet burg u dënua Ramadan Shaqiri si bashkëpunëtorë në krim, kurse me burg te përjetshëm u dënua edhe Almir Drpljani, i cili ishte në arrati, por më vonë u ekstradua në Maqedoni për ta vuajtur burgun. 10 vjet më vonë, u publikuan pamjet nga kamera e sigurisë që ka filmuar vrasjen e policit të njësitit “Alfa”, gjë që u dha shpresa të reja të burgosurve se do të mund të dëshmohet pafajsia e tyre. Pamjet nuk ishin të pastra, ndërsa pavarësisht paqartësisë në fytyrat e personave që kanë gjuajtur, të akuzuarit thonin se nëpërmjet madhësisë së trupave mund të vërtetohet se nuk ngjason me trupat e sulmuesve. Nga pala mbrojtëse e të dënuarve me burg të përjetshëm kërkuan që video-materialit d t’i bëhet ekspertizë ndërkombëtare për të vërtetuar fytyrat e vrasësve. Madje Avokati Jovan Joanidis pati deklaruar se as gjykata supreme nuk ka dhënë shpjegim të qartë nëse kryerësit e veprës kanë qenë të dënuarit. Familjarët e të dënuarve madje shpresat e tyre i patën mbështetur pikërisht tek Prokuroria Speciale Publike për rihapje të rastit, pasi ata besonin se mund të gjenin biseda të përgjuara që do ta zbardhnin të vërtetën.