“Letër e hapur”: z.Ahmeti a e bëtë luftën për t’i kthyer shqiptarët në vendlindje, apo për t’i shpërngulur ata!

Nga Afaristi , Bexhet Musliu,

Themelues i disa kompanive në Maqedoninën e Veriut.IT – ANET, që nga viti 2002, – Zhurnal.mk, që nga viti 2009, – Shoqatë Joqeveritare OTI GROUP, që nga viti 2015,  DailyNews.mk, 2020.

Shkup, 20 nëntor – Lufta e UCK-së në Maqedoninë e Veriut është ndër momentet më të ndritshme dhe të lavdishme në historinë e shqiptarëve. Të gjithë janë krenar për të arriturën e shqiptarëve në luftën e vitit 2001 kur me Marrëveshjen e Ohrit ata dolën triumfues dhe e arritën qëllimin që të ndryshohet Kushtetuta e këtij shteti, i cili vazhdimisht i kishte injoruar, nënçmuar dhe luftuar shqiptarët.

Pjesë e kësaj lufte, përveç popullatës vendase, ishte edhe diaspora shqiptare, pa ndihmën e të cilëve nuk do të mund të fitohej kjo luftë e kamotshme shqiptare.

Pas përfundimit triumfues të luftës të gjithë shqiptarët që kishin mallin për vendlindjes dhe kishin mundësi financiare, vendosën të kthehen në vendlindje me dëshirën më të madhe për të ndihmuar dhe për të realizuar idenë e zhvillimit në një ambient të lirë dhe të çliruar.

Vullneti nga të gjithë ishte aq i madh sa ata lanë jetën më të mirë në Evropë me të vetmin qëllim për të sjellur përvojën e atjeshme për të mirën e vendlindjes.

Duke parë se vetë drejtuesit e UCK-së ishin njerëz të lëvizjes kombëtare, shpresa për jetë më të mirë dhe zhvillim të kombit shqiptarë ishte shumë e lartë. Gjithsecili që kishte mundësi të ndihmojë, ishte ofruar për të ndihmuar.

Gjatë këtyre 20 viteve të pasluftës, shumë njerëz fatkeqësisht janë dëshpëruar dhe shpeshherë është shtruar pyetja se përse luftuan shqiptarët?

A luftuan shqiptarët që në pushtet të vendosen funksionarë të papërgjegjshëm që mendojnë se funksionin e kanë të trashëguar nga baballarët e tyre!

z. Ahmeti, a luftuan shqiptarët që vetë të zgjedhurit e tyre t’iu kërkojnë mito e korrupsion!

z. Ahmeti, a luftuan shqiptarët që të ikin nga vendi të dëshpëruar, apo luftuan për të qenë të barabartë dhe për ta zhvilluar këtë vend ashtu siç duhet!

Përvojat nga e kaluar janë shumë të hidhura. Vazhdimisht kanë dalë afaristë të njohur që kanë shprehur dëshpërimin dhe zhgënjimin nga pritshmëritë funksionarëve shqiptarë. Edhe pse Maqedonia e Veriut dukej si destinacion i shkëlqyer të investimeve të huaja, serish nga manipulimet dhe paaftësitë e funksionarëve shqiptarë, shumë njerëz u kthyen të dëshpëruar. Shumë biznesmenë edhe pse erdhën me kapitalin e tyre, me eksperiencën e tyre evropiane dhe me besimin e madh se dot ë gjejnë përkrahje maksimale nga pushteti, pjesë e së cilës ishte partia shqiptare, ata u kthyen të falimentuar, të dëshpëruar dhe të bllokuar në labirintet e sistemeve gjyqësore, manipulimeve financiare dhe kërcënimit për të ardhmen.

Të gjithë këtë që është lartpërmendur e dëshmojnë përgjigjet e pyetjeve se sa biznesmenë shqiptarë nga diaspora kanë kapitalin e tyre këtu! Sa biznesmenë investuan në zonat e lira ekonomike, sa prej tyre në zonën e Tetovës, e cila duhej të ishte parajsa e ekonomisë shqiptare! Fatkeqësisht aspak! Edhe ata që kishin ardhur për të investuar, u kthyen kokë-ulur dhe të dëshpëruar nga paaftësia dhe manipulimet që funksionarë shqiptarë, të angazhuar për çështje ekonomike i zhgënjyen ata.

Z.Ahmeti shumë afaristë shqiptarë e besuan idealin tuaj dhe partisë tuaj, duke e mbështetur partinë tuaj në momente më të vështira, kur ju në ish qeverisjen me VMRO-në kishit probleme serioze të përçimit nga partneri maqedon, ishin mediat shqipe dhe këta biznismenë që kanë qenë zëri i fuqishëm për të ju dhënë mbështetje për t’i çuar proceset para, ndërsa sot çfarë ju po ua ktheni qytetarëve që ua kanë dhanë votën por edhe kompanive duke ua futur thikën pas shpine me tallje të ulta për punën që e bëjnë me djersë.

z. Ahmeti a nuk jeni duke parë me sytë e juaj se sa funksionarët i ka mbuluar korrupsioni dhe manevrrimet me parat e qytetarëve dhe të shtetit që çdo gati projekt që u takon afaristëve po bëhen manipulime, duke i shprëndarë te kompanitë që i lidhë me familjarët e funksionarëve.

Deri kur z. Ahmeti , deri kur sytë do i mbyllni dhe do qëndroni i shurdhur për këto keqpërdorime të posteve të ministrave që ju i keni vendosur për t’iu shërbyer qytetareve dhe këtij populli?

Zhgënjimi është shumë i madh, dëshpërimi edhe më i lartë, shpresa vdes e fundit, por politika juaj që t’i ktheni shqiptarët në vendlindje po dështon, sepse në vend se ata të kthehen, ata po ikin çdo ditë e më shumë.

Pyetja që shtrohet vetvetiu është, përse atëherë luftuan shqiptarët vitin 2001 !!!

z. Ahmeti, çdo fillim e ka edhe një mbarim, ndonjëherë faqebardhë , ndonjëherë siç do thoshte një fjalë popullore, “Zoti nuk ta merr shpirtin pa ta marrë FYTYRËN”, uroj kjo të mos ndodh..!

Andaj, z. Ahmeti kthjelluni para se t’u del uji nga SHTRATI…!!! Dëgjoni zërin e popullit, afaristëve, e mos heshtni ndaj “kriminelët”, sepse jeni zotuar si pranë popullit, votuesve tuaj , ashtu edhe pranë afaristëve që drejtësia tek JU është në radhë të parë, pra mposhtni ‘kriminelët”, që po keqpërdorin postet e tyre të cilët ua keni dhënë.

Shpresojmë që këto shqetësime të mos mbarojnë në vesh të shurdhur!

Konsideratë të lartë
Bexhet Musliu