Lideri opozitar i Venezuelës, Lopez strehohet në Ambasadën e Spanjës

Leopoldo Lopez, ish-kryetari i Partisë Voluntad që u lirua nga arresti shtëpiak gjatë tentativës për grusht shteti në Venezuelë të nisur nga kreu i Asamblesë Kombëtare Juan Guaido, është strehuar në Ambasadën e Spanjës në kryeqytetin Karakas, konfirmoi qeveria spanjolle.

Sipas një deklarate të qeverisë së Spanjës, ish-lideri opozitar Lopez dhe familja e tij kanë arritur në ambasadë dje në orët e natës.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Kilit, Roberto Ampuero, tha në Twitter se Lopez dhe familja e tij fillimisht kanë kërkuar azil në ambasadën e vendit të tij, ndërsa më pas kanë vendosur të shkojnë në ambasadën spanjolle.

Dje në orët e mëngjesit, kreu i opozitës Juan Guaido publikoi ​​një video në Twitter në të cilën ai gjendej pranë një grupi ushtarësh, duke marrë edhe ish-liderin opozitar Lopez, i cili gjendej në arrest shtëpiak, dhe bëri thirrje për kryengritje për të përmbysur presidentin Nicolas Maduro.

Shtetet e Bashkuara shprehën mbështetje të plotë për tentativën për grusht shteti në Venezuelë.

Ndërkohë, Maduro, në një fjalim në pallatin presidencial pas zhvillimeve, tha se autorët e tentativës për grusht shteti nuk do të ngelin pa u ndëshkuar dhe falënderoi ushtarët për shtypjen e puçit dhe besnikërinë e tyre.

Venezuela është tronditur nga protestat që nga 10 janari, kur Maduro u betua për një mandat të dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.

Tensionet u përshkallëzuan kur Guaido, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, u vetëshpall si president i përkohshëm më 23 janar, një veprim i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.