Limaj jep alarmin: Vuçiqi po përgatitet ta destabilizojë rajonin!

Bashkëdrejtuesi i Delegacionit Shtetëror për bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj ka theksuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po vazhdon me retorikë luftënxitëse si ish-shefi i tij Millosheviqi, duke i frikësuar qytetarët serbë dhe fajësuar gjithë botën.

“Si duket po përgatitet ta destabilizojë rajonin, gjithmonë duke i përdorur bashkëqytetarët tanë serbë të Kosovës, të cilët janë në presion për t’i shërbyer qëllimeve të tij politike”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Postimi i Limajt në Facebook:

Presidenti serb, Aleksandër Vuciq, me retorikë luftënxitëse si ish-shefi i tij Millosheviqi, duke i frikësuar qytetarët serbë dhe fajësuar gjithë botën, si duket po përgatitet ta destabilizojë rajonin, gjithmonë duke i përdorur bashkëqytetarët tanë serbë të Kosovës, të cilët janë në presion për t’i shërbyer qëllimeve të tij politike. Me paralajmërimet e vazhdueshme se do të marrë masa duke përcaktuar afate kohore, tregon se ai po tenton t’i përdorë edhe këtë herë serbët e Kosovës për interesa të veta. Në fakt, kjo është shkolla e Millosheviqit që Vuçiq me shumë përkushtim po mundohet ta imitojë ish shefin e tij në çdo gjë. Shtirja e tij e alarmuar për platformën tregon më së miri se sa larg është ai nga realiteti. Kosova pas tre muajve mbush 20 vjet që është e lirë. Ndërsa para afro një muaji festuam 11-vjetorin e Pavarësisë. Në platformën e miratuar një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës nuk ka asgjë tjetër përveç përshkrimit të këtij realiteti që sot ekziston. Porosia ime për të është ta pranojë realitetin e krijuar tash e dy dekada në këtë pjesë të Ballkanit.