Listave zgjedhore të BDI-së, ju prijnë viganët e dëshmuar të interesit nacional e politik

Listat zgjedhore me bartësit e tyre, tashmë kanë filluar të publikohen, dihet se bartës së listave zgjedhore të BDI-së, janë: Ali Ahmeti, Talat Xhaferi, Bekim Neziri, Arbër Ademi dhe Izet Mexhiti.

Listës në zonën e VI-të, i prin lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, zonë kjo që besohet se do të nxjerr së paku 8 deputetë shqiptarë, me në krye ideologun e të drejtave të shqiptarëve, promotorin e proceseve integruese euro-atlantike. Lista e gjashtë, është zona e dëshmuar e fitoreve të BDI-së, unitetit nacional dhe vlerave nacionale. Lideri i BDI-së, është garanca e fitores së çështjes shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe shqiptarëve në Ballkan, i cili çdo proces me interes nacional e realizon me ndershmëri, konsekuencë dhe pjekuri të liderit historik të shqiptarëve në këtë pjesë Ballkanit.

Sipas burimeve tona, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, është bartës i Listës zgjedhore të BDI-së, në zonën e V-të, zonë kjo e mirënjohur me fitoren e vazhdueshme të kandidatëve të BDI-së. Z. Xhaferi ka dëshmuar lidership të jashtëzakonshëm, maturi e trimëri, përgjegjësi të lartë nacionale dhe kreativitet institucional të rrallë, jo vetëm në krye të formacioneve çlirimtare, por edhe si udhëheqës i Kuvendit, një nga liderët e BDI-së dhe shqiptarëve, duke i dalë përball me guxim makinacioneve dhe grackave parlamentare si dhe pabesive që dëmtojnë interesin nacional të shqiptarëve.

Bekim Neziri është kuadër i sprovuar i BDI-së nga Shkupi me përvojë të jashtëzakonshme në disa institucione me përgjegjësi të lartë, i njohur e mirënjohur për qëndrueshmëri, ndershmëri dhe konsekuencë patriotike, që i zgjidh problemet, i relativizon dhe mposhtë kundërshtarët, me lehtësi. Me angazhimet e tij, ka dëshmuar se cilëndo përgjegjësi që i jepet, e kryen me nder dhe kompetencë. Nga Çairi i fitoreve, ku lindi dhe jeton Bekim Neziri, do të jetë bekim për BDI-në, shqiptarët e kësaj zone, këtij bastioni të pamposhtur të BDI-së, flamurit kuq e zi në Shkup, të shqiptarëve të cilët e dinë mirë se çka do të thotë të jetosh e angazhohesh për Shkupin, për shqiptarët dhe BDI-në. Kjo listë, pritet se do të korrë fitore të madhe e të merituar, si asnjë herë më parë.

Arbër Ademi i prin Listës zgjedhore të BDI-së, në Zonën e II-të, zonë e cila me krenari promovon kapacitetet nacionale e profesionale të Ministrit të Arsimit, i cili solli ndryshime të cilat nuk ndodhën për 20 vite. Z. Ademi, me përkushtimin e tij në rrugën e interesit nacional, ka dëshmuar intelektualizëm e vendosmëri, kreativitet dhe largpamësi në të gjitha rrafshet e përgjegjësive të veta institucionale dhe politike. Fitorja në këtë zonë, pritet të jetë e madhe, ashtu siç BDI-së i ka hije. Arbër Ademi, krahasuar me kundër kandidatët e partive tjera, është tjetër nivel, yll i punës e përkushtimit.

Zona e parë zgjedhore, me Izet Mexhitin në krye, garanton sukses dhe realizim të pritshmërive të mëdha nga elektorati shqiptar i kësaj zone. Z. Mexhiti ka arritur të shënoj suksese të vazhdueshme, në të gjitha planet dhe angazhimet, duke zbatuar politikat e ndryshimeve pozitive të cilat BDI i kishte proklamuar dhe i kishte zbatuar, hap pas hapi. Ky kontribut i BDI-së, me tërë kapacitetin e tajfunit të BDI-së, në këtë zonë do të shënoj sukses të jashtëzakonshëm, sepse z. Mexhiti afron njerëzit, është i vendosur për promovimin e vlerave nacionale dhe BDI-së, nën qiellin e këtij shteti, i cili ende ka punë për të bërë, me z. Mexhiti, prezantimi i këtyre çështjeve bëhet më i lehtë, sepse, besa e fjala e tij, ka peshë për shqiptarët.