Lladrovci dhe Jashari, vizitojnë atelienë ku po punohet shtatorja e Shaban Jasharit

Kryetarët e komunave Skenderaj dhe Drenas, Bekim Jashari dhe Ramiz Lladrovci, kanë vizituar sot atelienë ku po punohet shtatorja e heroit Shaban Jashari, për Sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas.

Për këtë shesh, tashmë janë finalizuar dhe pritet të vendosen shtatoret e heronjve Rasim Kiçina dhe Ilaz Kodra, ndërsa është në proces shtatorja e heroit Bedri Shala.

“Shtatorja e Bacës Shaban, është në fillim të punës. Ne do të jemi afër, për të përcjellë këtë vepër madhështore, ashtu siç ishte Baca Shaban, i urtë, trim dhe heroik, sepse, rriti dhe edukoi bijtë e vet dhe familjen emblemë të kombit tonë”, ka shkruar në rrjetin social, Ramiz Lladrovci.

Ja postimi i plotë i z. Lladrovci:

Sot, së bashku me Bekim Jasharin, kemi vizituar atelienë e skulptorëve, Ylber Krasniqi dhe Sabri Behramit, për të parë ecurinë e finalizimit të shtatoreve për sheshin e Drenasit.
Shtatorja e Bacës Shaban, është në fillim të punës. Ne do të jemi afër, për të përcjellë këtë vepër madhështore, ashtu siç ishte Baca Shaban, i urtë, trim dhe heroik, sepse, rriti dhe edukoi bijtë e vet dhe familjen emblemë të kombit tonë.
Po ashtu, morëm përshtypje të jashtëzakonshme për shtatoren e finalizuar të heroit Bedri Shala. Shtatoret e Rasim Kiçinës dhe Ilaz Kodrës, tashmë janë në proces të kthimit në bronz. Për çdo shtatore, familja konsultohet për çdo detaj duke marrë miratimin edhe finalizohet.
Shtatoret e heronjve tanë, janë porosia jonë për brezat se sa e vlefshme është liria jonë, shteti ynë!