Lladrovci kërkon mandatin e dytë: Të vazhdojmë me punët e mira

Kryetari aktual i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, iu ka drejtuar qytetarëve të Drenasit lidhur me procesin zgjedhor.

Lladrovci ka cekur se “Ju e dini se kush jam, andaj, pres përkrahjen, ashtu sikur në zgjedhjet e kaluara. Sepse, kemi punuar bashkë, sepse kemi treguar rezultate bashkë, sepse mund të bëjmë edhe shumë punë të mira bashkë për komunën tonë, për qytetarët e komunës tonë”.

Postimi i plotë:

Qytetarë të komunës së Drenasit,

Më 17 tetor, është dita kur ju do të vendosni për qeverisjen lokale në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, për asamblenë komunale dhe kryetarin e komunës. Ju do të vendosni në mënyrë demokratike, për mandatin e ardhshëm se a doni të jem edhe më tej kryetar i Juaji.

Nëse ende nuk keni vendosur, kërkoj nga ju të bëni vlerësim objektiv për këtë mandat që e drejtova komunën. Nga ju kërkoj që të vlerësoni si ishte qasja e administratës, rregullimi hapësinor, punët infrastrukturore gjithandej komunës, mbrojtja e interesit publik për prona duke përkrahur iniciativat private, cilësinë e arsimit në komunë, shërbimet shëndetësore, përkrahja në bujqësi, bursat për studentët dhe mijëra punë rreth ndriçimit, trotuareve, sigurisë në shkolla, angazhimin për menaxhimin e pandemisë, solidaritetin me çdo qytetar e deri te suksesi i jashtëzakonshëm – komuna me performancën më të mirë në nivel nacional.

Kërkoj nga ju të vlerësoni punët e bëra, angazhimin katërvjeçar me kabinetin tim, synimet e mia, por të keni mirëkuptim për disa nga premtimet të cilat janë në proces të zbatimit, e deri te qëndrueshmëria ime për ta mbajtur fjalën.

Vërejtjet tuaja i kam trajtuar me seriozitet gjatë mandatit të parë, andaj, edhe mirëpres reagimin tuaj, qoftë këtu në rrjetin social, qoftë në takime paraelektorale dhe takime në grupe të vogla rreth çështjeve konkrete që i takojnë pushtetit lokal dhe kompetencës së kryetarit.

Gjatë kësaj kohe, deri në ditën e votimit, por edhe pas 17 Tetorit, kërkoj nga ju, të respektoni rekomandimet për luftimin e pandemisë, sepse ashtu ju mbroni veten, familjen, shtetin dhe kombin tuaj.

Qytetarë të nderuar,

Më 17 tetor vendosni. Një gjë ju siguroj, 34 kandidatët për Asamble, janë kandidatët më të mirë që ka Partia Demokratike e Kosovës në komunën tonë. Për vete, nuk do të them shumë, por po i përsëris premtimet me të cilat e kam filluar mandatin: Transparencë, llogaridhënie, zbatim i ligjit.

Qeverisja ime ka adresë, PDK, numri 177.

Ju më njihni. Çështjet i kam zgjidh edhe kur dukeshin të pazgjidhshme, unë thjeshtë, kam bërë atë që duhej bërë, zgjidhjen më të mirë për qytetarin. Me ligj, ne mund të bëjmë përparim, veprimet tjera, mund të jenë të dobishme për momentin, por përherë mbesin të paligjshme.

Ju e dini se nuk kam mundësi të ndryshoj edhe po të dua. Jam po ai që kam qenë, nga ilegalja e viteve ’80 e deri sot, konsekuent dhe i sinqertë. Në këto zgjedhje, më mungojnë dy miqtë e mi, por, edhe këtë fitore të 17 Tetorit, dihet se kujt do t’ia dedikoj. Tërë jetën isha në mbështetje të kauzave të drejta për Kosovën dhe kombin. Për këtë mandat, me pushtetin lokal, isha edhe në shërbim të qytetarit të komunës tonë. Do të mbetem i njëjtë, sikur gjatë katër viteve të shkuara.

Ju e dini se kush jam, andaj, pres përkrahjen, ashtu sikur në zgjedhjet e kaluara. Sepse, kemi punuar bashkë, sepse kemi treguar rezultate bashkë, sepse mund të bëjmë edhe shumë punë të mira bashkë për komunën tonë, për qytetarët e komunës tonë. Bashkë për Drenasin. Ju e dini se historia nuk mund të rishkruhet. Jam krenar me juve, dje UÇK, sot PDK!

Qytetarë të nderuar,

Programin dhe platformën zgjedhore e kam gati dhe së shpejti do ta publikoj, së bashku me një përmbledhje të punëve të bëra gjatë mandatit të parë me synimet për mandatin e dytë. Ju siguroj se do ta mbaj fjalën, sikur në mandatin e parë, duke tejkaluar premtimet e mia në çdo lëmi.

Dy vitet e fundit nuk ishin të lehta shkaku i pandemisë. Patëm viktima. Kam ndjerë dhe ndjejë dhimbjen tuaj që humbët në këtë betejë më të dashurit. Lufta kundër virusit vazhdon. Ju lutem, kini kujdes!

Qeverisja ime e mirë nuk do të ishte e mundur pa Juve. Ju falënderoj për bashkëpunim. Punët e mira, duhet të vazhdojnë. Vendosni që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe katër vjet. Ta mbajmë Drenasin komunë kampione në Kosovë, sepse, komuna e Drenasit i ka qytetarët më të mirë në Kosovë.

Bashkë për Drenasin!

PDK177

Ramiz Lladrovci