Lladrovci: Kryetar Veseli, ju kurrë as keni qenë as jeni vetëm, deri sa të rrahë zemra shqiptare!

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, pas publikimit nga Zyrat e Prokurorit të Specializuar se do të ngritët akuzë ndaj z. Kadri Veseli dhe Hashim Thaçit, ka cekur se “kjo akuzë, ndaj Juve dhe Presidentit, e dëshmon tërë egërsinë e kundërshtarëve tanë”.

Më tej, z. Lladrovci ka cekur se “hartuesit e akuzave i pengojnë heronjtë e gjallë”, duke shtuar se “Ju miku im Kadri, jeni një nga heronjtë e gjallë”. Ja postimi i z. Lladrovci: I nderuari kryetar Kadri Veseli, Nuk është e lehtë, këto ditë as të deklarohemi, as të shprehim tërë atë që e ndjejmë, me pretendimet e padrejta për Juve dhe Presidentin Thaçi. Aq më pak, ta kemi të qartë, qëllimin e hartuesve të këtyre akuzave të paverifikuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, sepse, ata vet po i shkelin dokumentet të cilat janë të obliguar t’i respektojnë.

Na preku të gjithëve, pse akuza, lëshohet në opinion kur as nuk është e provuar e as e konfirmuar nga gjykata. Pse u bë, do menduar, jo vetëm ne si subjekt politik, por edhe shteti ynë, Republika e Kosovës. Kjo akuzë, ndaj Juve dhe Presidentit, e dëshmon tërë egërsinë e kundërshtarëve tanë, planet e tyre dhe tendencat makabre për të nxirë shtetin dhe UÇK-në, rrugën tonë të drejtë për liri. Shoku im Kadri, Ne ndoshta kemi mundur të bëjmë më shumë nëse do t’i kishim edhe disa rrethana pozitive, në rend të parë, trajtimin tonë të drejtë nga mekanizmat ndërkombëtar, që duan të na barazojnë me sistemin okupator, neve që dolëm përball makinerisë vrastare serbe. Megjithatë, nuk kemi mundur të presim më shumë, në këto kohë të turbullta, dukurinë e shpeshtuar në decenien e fundit, ku patrioti quhet tradhtar e tradhtari patriot. Andaj, ligji për këtë identifikim të qartë, për vlerat e luftës, duhet të jetë prioritet yni si parti politike. Sot, ta fyesh dëshmorin, martirin apo çlirimtarin, është gjëja më e zakonshme që has në opinion, madje më e zakonshme se veprat kriminale të ish pushtetit dhe veglave të tyre, të keqbërësve në pushtetin e lirisë së Kosovës apo edhe krimet serbe kur ende na mungojnë mbi 1600 qytetarë.

Nuk dua të përshkruaj duke përsëritur tërë tmerrim që e përjetuam si popull, por, dua të ndalem te dukuria e nënçmimit të asaj që kemi bërë dje, që po bëjmë sot dhe do të bëjmë nesër. Miku im Kadri, Ne jemi zotuar që në rini të hershme se do t’i qëndrojmë besnik atdheut dhe do të punojmë me tërë qenien, pavarësisht çmimit, krah interesave të tij. Ne kemi qenë bashkë, kur kemi filluar të armatosemi për liri, mbi barrikada dhe gjatë goditjes së caqeve të okupatorit. Ne ishim bashkë, kur i varrosnim shokët tanë dhe bartnim kujtimet e freskëta te shokët tanë që të përgatiteshim për luftën e madhe çlirimtare. UÇK u bë një besë e pathyeshme e shekullit që barti tërë fuqinë e drejtësisë, tërë moralin tonë ndër gjenerata për rezistencë dhe çlirim, si amanet i shenjtë. Ne kemi qenë bashkë kur mori rrugë UÇK-ja dhe kur kemi filluar të rreshtohemi sipas kapaciteteve dhe përgjegjësisë, në njësi e brigada, pastaj mori hov vrulli nacional deri te lufta frontale dhe bombardimet e NATO-s. Neve nuk na ndanë akuzat e makinerisë shpifëse, as humbjet e më të dashurve tanë, sepse, ne, asnjëri nuk e kishim në dorë se a do ta përjetonim lirinë. Ne vetëm kemi punuar, për lirinë, pavarësisht çmimit. Andaj, edhe sot, jemi bashkë, më afër se kurrë, për rrugën tonë të drejtë, sepse qëllimet tona ishin të drejta dhe lufta është zhvilluar në pajtim me të gjitha normat ndërkombëtare. Për këtë, të gjithë ne dhe populli ynë, është krenar. Andaj, edhe këto akuza, do të bien poshtë, ashtu siç ranë akuzat për komandantët tonë të mëparshëm dhe çlirimtarët, të cilët u përndoqën një për një, me motivin politik, pse ishin çlirimtar.

Hartuesit e akuzave e dinë se heronjtë tanë dhe dëshmorët, nuk i pengojnë, hartuesit e akuzave i pengojnë heronjtë e gjallë. Ata nuk i durojnë heronjtë e gjallë, të ushtrisë më të suksesshme çlirimtare të shekullit 20. Ju miku im Kadri, jeni hero i gjallë. Po ashtu, Hashimi, Ramushi, Agimi, Aliu, Azemi, Bislimi, Nuredini, Hyseni, Ibrahimi, Gafurri, Emrushi, Fatmiri, Bardhyli, Halili, Sabriu, Sylejmani, Dauti, Bedriu, Ganiu, Bekimi, Rrahmani, Sokoli, Remi, Shabani, Lata, Elmiu, Shkupi, Imriu, Ilazi, Shaipi, Ahmeti, Shukriu, Selimi, Topi e mijëra heronj të gjallë, drejtues e ushtarë të ushtrisë tonë të lavdishme, të rreshtuar pas emrit dhe veprës së Komandantit tonë legjendar, Adem Jasharit, ashtu si tërë populli dhe bota demokratike që e mbështeti atë luftë të drejtë e të pastër.

Ne jemi zotuar se pas luftës, do ta fitojmë edhe lirinë, duke e ndërtuar shtetin, duke e fuqizuar shtetësinë, duke garantuar me rendin demokratik gjasat e mundësitë e barabarta, mirëqenien dhe lumturinë në vendin tonë. Në këtë rrugë, askush nuk do të mund të na ndalë. Andaj, shoku im, miku im, kryetar Veseli, Ju nuk jeni as kurrë nuk do të jeni vetëm, deri sa të rrah zemra shqiptare, zemra e lirisë!