Lladrovci në përkujtim të Epopesë së UÇK-së: Nderojmë Jasharajt, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë

Komuna e Drenasit, për nder të shënimit të 23 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, ka mbajtur Seancën solemne të Kuvendit të Komunës, në të cilën kryetari i komunës Ramiz Lladrovci, ka theksuar rëndësinë e kësaj dite historike për Kosovën dhe kombin shqiptar.

“Me këtë mbledhje solemne, dhe çdo ditë, kujtojmë me nderim të thellë Bacën Shaban, Hamzën e Komandantin legjendar, Adem Jasharin si burim të pashtershëm për lirinë tonë, për energjitë tona në ngritjen dhe fuqizimin e institucioneve, për pushtet lokal transparent dhe me llogaridhënie, duke zbatuar me vendosmëri ligjin dhe barazinë para ligjit”, ka theksuar kryetari i komunës Ramiz Lladrovci, në fjalën e tij të mbajtur para asamblistëve të komunës në Seancën solemne.

Postimi i plotë i z. Lladrovci në fb:

Për nder të shënimit të 23 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, kemi mbajtur Seancën solemne të Kuvendit të Komunës së Drenasit. Mbledhjen e ka hapur kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Labinot Halilaj, ndërsa në fjalën e rastit kam theksuar si vijon:
I nderuari Kryesues i Kuvendit, z. Labinot Halilaj,
Të nderuar asamblistë të Komunës së Drenasit,
Te nderuar drejtor të drejtorive komunale,
Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të UÇK-së,
Mysafirë të nderuar,
Zonja e zotërinj,
Sot, me këtë seancë solemne, shënojmë 23 Vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rezistencës heroike të Familjes Jashari, njëherësh, nderojmë edhe të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë së Kosovës.
Sot, me nderim të thellë, kujtojmë themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare që ranë në altarin e lirisë, nderojmë jetën e veprën e të gjithë kontribuuesve për lirinë e pavarësinë e vendit tonë, kujtojmë njëherësh, prijësit tanë që fizikisht nuk janë me ne, Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhën, Hysniun, Nasimin e Salihun.
Po ashtu, në këtë seancë solemne kushtuar Epopesë së Jasharajve, shprehim respekt për të gjitha familjet e dëshmorëve dhe martirëve, veteranët dhe invalidët e UÇK-së.
Në këtë ditë, jemi këtu të shprehim nderim edhe për të gjithë qytetarët e komunës tonë, si vatër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bartëse e shumë dhimbjeve, duke përjetuar aktet e gjenocidit të kryera nga forcat ushtarake e policore të Serbisë, me varrezat masive.
Drenica dhe mbarë Kosova, u rreshtuan krah idealeve të komandantit legjendar Adem Jashari dhe Jasharajve që nga momentet e para të përgatitjes së rezistencës së armatosur, drejtë luftës frontale duke kontribuar me vetmohim, me gjak e plagë për çlirim.
Të nderuar të pranishëm,
Sot kujtojmë ditën e fillimit të fundit të pushtimit gati njëshekullor të Serbisë. Krismat që filluan me Epopenë e Jasharajve u shndërruan në Epope të UÇK-së, dhe ndezën flakën e çlirimit.
Kujtojmë me nderim, sakrificën e paparë të Jasharajve, duke kryer akte qëndrese historike që lëvizën jo vetëm zemrat shqiptare, por të gjithë botën demokratike.
Me këtë mbledhje solemne, dhe çdo ditë, kujtojmë me nderim të thellë Bacën Shaban, Hamzën e Komandantin legjendar, Adem Jasharin si burim të pashtershëm për lirinë tonë, për energjitë tona në ngritjen dhe fuqizimin e institucioneve, për pushtet lokal transparent dhe me llogaridhënie, duke zbatuar me vendosmëri ligjin dhe barazinë para ligjit.
Po ashtu, shpreh respekt për angazhimin e çdo qytetari, çdo familje e cila dha kontribut për lirinë tonë, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, me nderim të thellë, i përkulem çdo kontribuuesi për lirinë e pavarësinë e Kosovës, me zotimin se rruga jonë nuk do të ndalet për të qenë në shërbim të qytetarëve, me projekte të mira, me projekte cilësore, me prioritete që i përcakton qytetari.
Të nderuar të pranishëm,
Ne po vazhdojmë jetësimin e amanetit të më të dashurve tanë që sakrifikuan për ne, për shtet të lirë, shtet ligjor, mirëqenie, arsim, shëndetësi e barazi në çdo fushë të jetës në Drenas dhe Republikën e Kosovës.
Lavdi e përjetshme për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë!
Lavdi jetës e veprës së Komandantit legjendar Adem Jashari!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!