Lladrovci pranon se u kërcënua me jetë nga një person, jep detaje për rastin

Gjatë ditës së sotme kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka marrë kërcënime me jetë nga një person i cili më pas është arrestuar.

Rastin e ka konfirmuar edhe vetë kryetari i Drenasit, i cili ka thënë se dy ditë më parë, përkatësisht më 21 janar, ka marrë kërcënime nga një qytetar në rrjetet sociale, të cilat e tejkalonin komunikimin normal

“Më 21 janar, kam marrë kërcënime nga një qytetar, të cilat e tejkalonin komunikimin normal që bëj me qytetarët në rrjetin social.

Kërcënimet që kam pranuar, i kam deponuar me shkrim pranë organeve të rendit, me qëllim të pengimit apo parandalimit të mëtejmë të tyre. Veprimet tjera, janë në dorë të institucioneve përgjegjëse të cilave ju besoj dhe shpreh falënderim për punën dhe angazhimin e tyre”, ka shkruar Lladrovci.

Ndryshe, policia e Kosovës ka konfirmuar se lidhur me këtë rast një person është arrestuar, gjersa nuk dihen detaje të tjera rreth arsyes së kërcënimit.

“Është arrestuar një i dyshuar mashkull K/Shqiptar, i cili ka kanosur me mesazh në rrjetin social viktimën mashkull shqiptar kosovar. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka thënë Policia e Kosovës.

Nuk dihet akoma se për çfarë ka ardhur deri te ky kërcënim.