“Llaskarca”, dëshmon vozitësi Naumovski: Për vite me radhë autobusët kanë poseduar manipulues të shpejtësisë

Autobusët e Durmo Tours në relacionin Shkup-Gostivar kanë pasur të vendosur manipulues të shpejtësisë edhe atë për një kohë të gjatë. Këtë e tha edhe vozitësi i kësaj kompanie Filip Naumovski, në seancën gjyqësore në rastin “Llaskaca”. Ai për 8 vite me radhë punon në kompaninë e Durmo Tours si vozitës dhe konduktor. Naumovski tha se së bashku me vozitësin tjetër Besnik Halili dhe në dijeni të përgjegjësit të autobusëve Remzi Miftari e kanë dërguar autobusin te mekaniku për t’i vendosur manipulues të shpejtësisë.

Se kishte manipulues në autobus kishte deklaruar edhe vozitësi Besnik Halili, por në seancën e kaluar ndryshoi dëshminë e tij para trupit gjykues, duke thënë se ai nuk di asgjë për manipuluesit.

“Unë dhe Besniku, dy herë dy autobusë njëherë njërin dhe njëherë tjetrin i kemi dërguar në një servis tek Hekurana për të vendosur manipulues. Besniku ka kërkuar që të vendoset buton që të manipulojë shpejtësinë reale dhe të tregoje për 12 ose 13 km në orë më pak se shpejtësia reale. Manipuluesi është vendosur që në vitin 2011. Të gjithë vozitësit kanë pasur dijeni për manipuluesin dhe vetë kanë vendosur nëse e përdorin ose jo”, u shpreh Filip Naumovski, dëshmitar, vozitës i Durmo Turs.

Prokurori i lëndës Darko Jakimovski pyeti Naumovskin se si është gjendja tani në Durmo Tours pas aksidentit, nëse ende përdorën manipulues. Me reagim të shpejt të palës mbrojtëse, gjykata nuk lejoi përgjigjen e këtyre pyetjeve duke i konsideruar si tendencioze edhe jo relevante.

Ndërsa në momentin kur duhej të dëshmonte eksperti teknik nga Fakulteti për Elektroteknikë, Josif Qosef mbi tahografin e autobusit dhe matjen e shpejtësisë, reagoi pala mbrojtëse. Avokatët kontestuan ekspertizën e ekspertit, pasi sipas tyre i njëjti nuk posedon licencë për ekspertize e as nuk ekziston në regjistrin e Ministrisë së Drejtësisë si ekspert ligjor për kryerjen e ekspertizave.

“Trupi gjykues mendon se është e nevojshme që të vërtetohet nëse ky institucion posedon më së paku dy ekspert të licencuar për të cilën gjykata vendosi që nëpërmjet një letre të drejtohet institucioni përkatës dhe pas marrjes së përgjigjes, do të vërtetohet nëse ekspertiza ose raporti i ekspertizës mund të përdoret si dëshmi gjatë procedurës”, tha gjykatësja Dijana Ilievska-Gruevska.

Në aksidentin e kobshëm në Llaskarcë kanë humbur jetën 16 persona dhe 37 të tjerë mbetën me lëndime të rënda trupore. Të akuzuar janë 6 persona, edhe atë pronari i kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli, përgjegjësi i kompanisë, Remzi Miftari dhe vozitësi i autobusit, Manoil Trifunovski, të cilët ngarkohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërkaq tre të punësuarit e stacionit të kontrollit teknike, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale. Seanca radhës është përcaktuar për më 28 nëntor.