LVV e LDK ende pa marrëveshje, takohen sërish nesër

Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, do të mbajnë nesër takimin e radhës për arritjen e një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Pas takimit që zgjati gati tri orë nga krerët e dy partive, u tha se do të ketë takime më intensive gjatë këtyre ditëve.

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se janë dakorduar që të vazhdojnë takimet me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Jemi dakorduar që të vazhdojmë takimet në baza ditore. Derisa t’i përmbyllim bisedimet tona”, tha Hoti.

E Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se ishte një takim shumë i rëndësishëm, ku u diskutuan shumë mënyra për arritjen e marrëveshjes.

“Dhe pikërisht për shkak që kemi parë avancim të pozicioneve tona drejt një marrëveshje, u pajtuam që takimet ton të jenë më të shpeshta në të ardhmen. Dhe pikërisht për këtë arsye, nesër sërish do të takohemi, dhe t’i vazhdojmë këto ku i kemi lëmë”, u shpreh konjufca.

Ai tha se ky takim nuk do të ndodhte në rast se nuk do të kishte përafrim të pozicioneve mes dy partive. Ai tha se janë të pakënaqur me datën e seancës konstituive, të cilën e ka ndërruar presidenti Thaçi.

“Ne jemi te pakënaqur me datën e ndërruar nga presidenti, për arsye se nuk ka dhënë kurrfarë shpjegimi me kë ka biseduar, në momentin që ai nuk j biseduar me partinë e parë që ka dalur me rezultatet të zgjedhjeve dhe me partine e dytë, të cilat janë duke biseduar se qysh me qeveris Kosovën, si mund të thotë një president që ka biseduar me partitë politike. Ne kemi dyshimet tona se si është ndërruar kjo datë, dhe do të kishte me qenë mirë që ta tregonte emrat e partive politike, të cilat kanë qenë për ndërrimin e datë 24”, ka thënë ai.

I pyetur për postin e presidentit, ai tha se sot kanë diskutuar për shumë pika, megjithatë nuk ka treguar nëse janë dakorduar edhe për këtë. Konjufca tha se për këto dy javë deri në datën e seancës konstituive do të arrihet marrëveshja mes LDK-së e LVV-së.