Mançevski: Pas 1.500 viteve nuk ka haxhillëk në Meka, a Papa do të mbajë meshë pa besimtarët

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, dje në emisionin “Vin vin” në TV Telma” porositi se të gjithë në shoqëri përfshirë edhe krerët e kishave dhe komuniteteve fetare patjetër duhet që të jenë të përgjegjshëm në momentet kur udhëhiqet lufta e rëndë në parandalimin e shpërndarjes së virusit korona, njofton Portalb.mk.

Duke e komentuar deklaratën e kryetarit të BFI-së, Sulejman Rexhepi se “nëse Qeveria nuk ndihmon, mund ta shfuqizojë ndalesën për vizita nëpër xhami”, ai tha se do të ndërmerren masa demokratike në drejtim të respektimit të masave të caktuara.

“Pas 1.500 viteve për herë të parë nuk kemi haxhillëk në Mekë, Papa – prifti suprem i kishës katolike do të mbajë meshë për Pashkët, pa praninë e besimtarëve. Patjetër që të gjithë të sillemi me përgjegjësi dhe me vetëdije”, tha Mançevski.

Përndryshe, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Sulejman Rexhepi, e ka paralajmëruar zëvendëskryeministrin, Bujar Osmani dhe Qeverinë se nëse BFI nuk merr ndihmë nga shteti, mund të ndodh që të tërhiqet thirrja për mbrojtje nga virusi korona, gjegjësisht vendimi për pezullimin e faljeve nëpër xhami.

Në një emision televiziv, Rexhepi tha se i ka dërguar kërkesë Osmanit, si koordinator i Shtabit të Krizës që të ndajë ndihma për BFI-në, por deri më tani ashtu siç tha reisi, nuk ka përgjigje.

“Ka ndihma prej jashtë. Të jetë e kujdesshme se çka bën Qeveria. Do t’i rikujtoj edhe me një kërkesë, pasi që nëse mos e dhëntë Zoti që ne ta tërheqim vendimin tonë, nuk ka fuqi që mund të luftojë me epideminë, ju garantoj. Atëherë këtu bëhet Bangladesh”, thotë Rexhepi.

Nga ana tjetër edhe mitropoliti i Dioqezës së Dibrës dhe Kërçovës, ipeshkvi Timotej, thotë se gjysma e të ardhurave të kishave dhe manastireve të KKK-së janë nga Pashkët dhe se ato janë prekur seriozisht nga kriza.

“Do të shohim nëse ka mundësi për këtë dhe si janë ato. Priftërinjtë janë gjithashtu të dëmtuar ndërsa tani janë Pashkët, festë mbi të gjitha festat, prandaj ata nuk mund të lihen me tryeza boshe”, thotë Timotej.