MAQEDONIA E VERIUT NESËR ULET NË TRYEZËN E NATO-S SI ANËTARE FUQIPLOTË

Përmes një video konference nesër do të mbahet takimi i parë i ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, në të cilin si anëtare e plotë do të marrë pjesë edhe Maqedonia e Veriut. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, mëngjesin e sotëm e paralajmëroi programin e nesërm ditor të Këshillit ministror i cili për herë të parë do të mbahet përmes një video lidhjeje të sigurt midis tridhjetë vendeve aleate të NATO-s.

Sinkron: Stoltenberg

“Nesër do t’i urojmë mirëseardhje Maqedoninë së Veriut si një shtet i tridhjetë anëtar, madje edhe në këto periudha të vështira vazhdojmë të shikojmë përpara”.

Vendet anëtare të Aleancës nesër në pjesën më të madhe do të përqendrohen në koordinimin e ndihmës në luftën kundër pandemisë së koronavirusit dhe do të paraqiten masat që NATO dhe anëtarët e saj do t’i marrin gjatë krizës.

Sinkron: Stoltenberg

“Kjo është një krizë globale shëndetësore. Mendimet tona janë me të gjithë viktimat e pandemisë dhe të afërmit e tyre. I falënderojmë të gjithë ata që gjenden në linjat e para – punonjësit shëndetësorë, të mbështetur me përpjekje civile. NATO ka rolin e saj për të ndihmuar në këtë luftë me armikun e padukshëm”.

Stoltenberg deklaroi se Maqedonia e Veriut po e përdor sistemin e reagimit ndaj krizave të Aleancës për t’u koordinuar në nivel qeveritar. Në takimin e nesërm, do të diskutohet edhe për forcimin e përgjigjes së vendeve të NATO-s në ballafaqimin me krizën me Kovid-19 por edhe për operacionet themelore dhe misionet e Aleancës.