Mbahet Debati publik për Draft – Planin e menaxhimit dhe për Draft – Raportin e vlerësimit strategjik të mjedisit jetësor për rajonit të Ohrit 2019-2028

Sot në Shkup, organizuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, u mbajt debati i parë nga tre debatet publike për Draft-Planin e menaxhimit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit 2019-2028 dhe për Draft – Raportin e vlerësimit strategjik mjedisor për planin e menaxhimit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit 2019-2028.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini theksoi:
– Në Draft-Planin e menaxhimit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit dhe vlerësimin strategjik të mjedisit jetësor nga ky plan, bashkërisht punuan Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Kulturës dhe Drejtoria për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndërsa në proces ishin përfshirë komunat dhe institucionet tjera kompetente. Presim që në finalizimin e Planit të përfshihen institucionet kompetente nga Shqipëria, me të cilat ndajmë përgjegjësinë për menaxhimin me këtë trashëgimi botërore të përzier ndërkufitare. Në të njëjtën kohë, Draft – Plani dhe vlerësimi strategjik i mjedisit jetësor janë dorëzuar për komente në Qendrën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ministri i Kulturës Hysni Ismaili, theksoi se këto janë dokumente juridike jashtëzakonisht të rëndësishme, me miratimin e të cilave pas 40 vjetësh nga nënshkrimi i Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, bëhet një kthesë historike në qasjen për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm dhe ekonomik të potencialeve të rajonit të Ohrit.
Ministri pa portofol përgjegjës për diasporën Edmond Ademi, theksoi:
– Një nga prioritetet kryesore të qeverisë së RMV-së është ruajtja e statusit të rajonit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ndihemi të detyruar, mbi të gjitha, ndaj qytetarëve tanë, të mos lejojmë rrezikimin e mëtutjeshëm të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit dhe të krijojmë një sistem për menaxhimin e tij të qëndrueshëm, profesional dhe të organizuar që do të parandalojë çdo shkatërrim dhe uzurpim të burimeve natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit .
Sipas tij, Plani dhe Raporti janë një segment shumë i rëndësishëm dhe formojnë kornizën për të gjitha aktivitetet e mëtutjeshme në zonën e mbrojtur.
Drafti i Planit dhe vlerësimi strategjik tashmë janë dorëzuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe organet e tij këshilldhënëse, të cilat pritet të japin mendimin profesional dhe kontributin për përgatitjen e dokumenteve të rajonit të Ohrit që do të jenë në përputhje të plotë me standardet dhe rekomandimet e UNESCO-s.
Debate publike për dy dokumentet e rëndësishme strategjike do të mbahen edhe nesër, 12.11.2019, në qytetet e Ohrit dhe Strugës, duke filluar nga ora 12 dhe 15:30.
Periudha e konsultimit publik zgjat 60 ditë dhe mbaron më 3 dhjetor të këtij viti, gjatë së cilës kohë publiku i interesuar mund të komentojë për dokumentin me çka mund të kontribuojë në përmirësimin e Draft – Planit të menaxhimit dhe Draft – Raportit të vlerësimit strategjik.
Dokumenti u prezantua për publikun nga Ana Petrovska sekretare shtetërore në MMJPH për sferën e mjedisit jetësor dhe Zoran Pavllov nga Komisioni për menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Rajonit të Ohrit në sferën e trashëgimisë kulturore.
Gjatë diskutimeve nga të pranishmit u ngritën shqetësime nëse Plani i menaxhimit është një kornizë e mjaftueshme për të parandaluar tendencat negative që u shfaqën në periudhën e kaluar. Për të integruar të gjitha vërejtjet konstruktive nga publiku në fjalë, do të organizohen takime shtesë me organizata qytetare dhe institucione përkatëse për të rishikuar komentet dhe rekomandimet e tyre dhe për të siguruar që Plani, në sinergji me ligjet ekzistuese që rregullojnë zonën, të sigurojë mbrojtje dhe menaxhim të duhur të kësaj trashëgimie botërore.