Mbledhje komemorative në nder të mësueses Nadire Arifi

Sot në shkollën fillore Liria në Tetovë u organizua mbledhje komemorative për të shënuar jetën dhe veprën e veteranes së arsimit shqip në Tetovë, mësueses së palodhur Nadire Arifi.

Pikërisht në këtë shkollë mësuesja Nadire Arifi punoi për më shumë se 30 vite, deri në pensionimin e saj në vitin 2011. Gjatë këtyre viteve shumë e shumë gjenerata u shkolluan dhe edukuan me forcën e shembullit dhe këshillat dhe përkushtimin e kësaj mësueseje të devotshme.

Kolegët, nxënësit dhe të gjitha ata që e njohën do ta kujtojnë për urtësinë, fisnikërinë dhe vlerat që kishte dhe frymëzonte tek të tjerët.

Mësusja, nëna, bashkëshortja, gjyshja dhe zonja e dalluar e këtij qyteti Nadire Arifi, do të jetojë ndër gjenerata si frymëzim i përhershëm, si dashuri dhe dritë në rrugën e lartësimit kombëtar dhe qytetërues.

Ajo mbetet një emër i paharruar që i dha Tetovës gjakimin e arsimit shqip, vlerën supreme të ngrohtësisë dhe përndritjes së mësuesisë.

Qoftë i pëjetshëm dhe i ndritur kujtimi për të!