Mblidhet Shtabi Emergjent i komunës së Tetovës, vendosin për masat mbrojtëse nga Koronavirusi

Në komunën e Tetovës sot u mbajt mbledhja e parë e Shtabit emergjent për prevencion nga virusi Corona. Në këtë trup koordinues ndërinstitucional marrin pjesë përfaqësues nga Komuna e Tetovës, Sektori për Punë të brendshme në Tetovë, Spitali Klinik, Shtëpia e Shëndetit, Qendra rajonale për menaxhim me kriza, Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, NJTKZ si dhe NPK Tetova. Pas raportimit mbi gjendjen aktuale për përhapjen e këtij virusi në teritorin e vendit, u sollën disa konkluza dhe rekomandime në nivel lokal si që janë: 1.Prej ditës së premte 13.03.2020 do të fillojë dezinfektimi dhe deratizimi i hapësirave dhe objekteve të karakterit publik në teritorin e komunës së Tetovës. Kjo është masë preventive dhe shumë e nevojshme që ka të bëjë me mbrojtjen nga përhapja e virusit Corona. 2.Komuna e Tetovës do të minimizojë numrin e të punësuarve administrativ dhe do të lirojë nga puna kategoritë e prekshme nga ky virus si që janë personat me sëmundje kronike respirative, kardiovaskulare, Dijabet -TIP1, Sëmundje maligne, dhe diagnoza kompromituese imunologjike. 3.Qytetarët t’ju përmbahen rekomandimeve të autoriteteve kompetente shëndetësore, të mbajnë higjienën personale, të mos frekuentojnë objekte të mbyllura si kafenetë, palestrat, qendrat tregtare etj. Gjithashtu rekomandohet të reduktohet qarkullimi i panevojshëm i qytetarëve te paktën për 14 ditët e ardhëshme përderisa edhe janë prpopozuar masat preventive të propozuara nga Qeveria e RMV. 4.Komuna e Tetovës ka filluar dezinfektimin e të gjitha çerdheve, qendrave për qëndrim ditor të fëmijëve, shkollave fillore dhe të mesme në teritorin e komunës së Tetovës. 5.Rastet me temperaturë të lartë dhe simptomatologji tipike për këtë sëmundje duhet të mos dalin nga shtëpia dhe urgjentisht të kontaktojnë numrin e telefonit QSHP Tetovë – 075 240 464. 6.Inkurajohen qytetarët që të paraqesin rastet e personave për të cilët kanë informatë se kanë udhëtuar apo janë kthyer nga shtetet me rrezikshmëri të lartë në numrat e telefonit 195 dhe 112 – Qendra për Menaxhim me Kriza.