Më 3 Mars fillon pranvera në Malësinë e Bashkuar në Tuz

Më 3 Mars, fillon pranvera në Malësi. Po, më tre mars. Në marsin e trimërisë, në marsin e lëvizjeve titanike kombëtare, edhe Malësia do ta lëvizë bjeshkën e injorimit. Me zgjedhje. Me zgjedhjet e 3 Marsit, Malësia do ta nisë historinë e vet të re.

Malësia nuk duroi as knjaz as mbret. Malësia, kryelartë, do të flas shqip, ashtu siç i ka hije, sot, të bashkuar. Ashtu siç e fali Zoti, me gjuhën shqipe në buzë, me shqipen dykrenore në zemër, për interesin kombëtar, ashtu siç e mësoi dhe lartësoi historia.

Më shumë bashkë se Malësia të bashkohet, nuk mund të ketë bashkim më 3 mars, kur do të mbushen kutitë, me po-në shqiptare, për Tuzin dhe Malësinë, për shqiptarët jo vetëm në Mal të Zi. Këtë ditë, do të nisë një karvan i fitores së pandalshme, për veten, për malësorët e Malësinë, Tuzin dhe shqiptarinë.

Politika në Tuz, do lënë anash atë ditë, sepse nuk duhet të jetë ditë votimi, por ditë referendumi, e verdiktit për Tuzin dhe Malësinë, për Listën e Bashkuar të Malësisë, Malësia na Bashkon, për të mos u ndarë kurrë, me gjuhë e flamur, me besë e shpresë, se 3 Marsi është fillim i pandalshëm uniteti, fillim i fundit të erërave e furtunave të huaja qeverisëse. Sepse, Malësia mund të udhëhiqet nga malësorët, ashtu siç e ka thënë Zoti.

Malësia kurrë nuk ushqeu urrejtje ndaj tjerëve, dhe kjo kështu ishte mbi një shekull, as sot, urrejtjen nuk e ka në zemër as mosdurimin ndaj të tjerëve, por malësori është zot në shtëpi të vet. Zëri i Malësisë u dëgjua gjithandej trojeve etnike, në Malësi mbeti i mekur. U dëgjua zëri i malësorit në Shqipëri, Kosovë e Amerikë e gjithandej në diasporë, por në Malësi, mbeti i heshtur.

Mjaft! Malësia ka djem e vajza që bota i njeh, ka energji e karakter që shquhet me sinqeritet, trimëri dhe besë. Po, sot të gjitha i duhen, djemtë e vajzat, me sinqeritet, vendosmëri dhe besë, për Listën e bashkuar të partive shqiptare, me numrin 5 (pesë), Malësia na Bashkon, ashtu siç na bashkon shqiponja e zezë në sfondin e kuq. Ashtu siç ngahera e bashkoi Dedë Gjo Luli, me lulen e trimërisë.

Malësia na Bashkon, ashtu siç na mbajti frymën për një shekull, ashtu do të vijoj të frymojë, pa urrejtje ndaj askujt, por zot në vendin e vet. Sepse Malësia është një, shqiptare me kokë e me zemër, me numrin 5, për fitore. Për shqiptarët, për legjendat e thurura ndër shekuj, për jetë në liri, i barabartë me të tjerët, në shtëpinë tonë, në Malësinë që na Bashkon.

Të gjithë të bashkuar, për Malësinë që na Bashkon, më 3 Mars, për flamur e për Dedë Gjo Lul!

Shkruajti:Gjylfije Halili

Gazetare,25.02.2019-Tetovë