Me 61 vota pro, Kuvendi miraton propozimin që Hisen Xhemaili të emërohet ministër për rregullavitën për përmirësimin e klimës investuese për kompanitë vendore

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi dy ministrat e rinj të kabinetit qeveritar të kryeministrit Zoran Zaev: Nina Angellovska – ministre e financave e propozuar nga LSDM dhe Hisen Xhemaili – ministër pa resor i angazhuar për rregullavitën për përmirësimin e klimës investuese për kompanitë vendore, i propozuar nga BDI.

Për Angellovskën votuan 64 deputetë për dhe 18 kundër, ndërsa për Xhemailin votuan 61 deputetë për dhe 21 kundër. Kuvendi dotë vazhdojë seancën për zgjedhjen e zëvendësministrave: Kiril Kolemishevski, Elizabeta Naumovska dhe Nexhad Mehmedoviq. Në këtë seancë pritet të votohet edhe zëvendësguvernatori i Bankës Popullore, ku për një mandat të ri është propozuar sërish Fadil Bajrami.

Seanca parlamentare për plotësimin e kabinetit qeveritar të kryeministrit Zaev dje filloi dhe vazhdoi deri vonë me debate të ashpra midis pozitës dhe opozitës. Kjo e fundit kërkoi sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare, derisa kryeministri Zaev dhe deputetët e shumicës nënvizuan prioritetet që ka vendi në planin e anëtarësimit të plotë në NATO si dhe datën për fillimin e bisedimeve me BE-në.