Memli Krasniqi takon Lajçakun: Marrëveshja që i siguron Kosovës integritetin territorial, njohjen nga Serbia dhe ulësen në OKB, përkrahet nga PDK

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak për të diskutuar perspektivat përkatëse rreth këtij procesi.

Lideri i opozitës tha se marrëveshja që i siguron Kosovës njohjen nga Serbia dhe ulësen në OKB, e cila nuk cenon në asnjë drejtim shtyllat e shtetësisë, funksionalitetit dhe integritetit të Republikës tonë, si dhe që është në koordinim me partnerët strategjik SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, do ta ketë përkrahjen e PDK-së.

Deklarata e plotë e kreut të PDK-së, Memli Krasniqi:

Me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, bashkëbiseduam për ecurinë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke ndarë perspektivat tona përkatëse rreth këtij procesi të rëndësishëm, si e vetmja rrugë për të përmbyllur çështjet e hapura në mes të dy shteteve dhe për arritjen e një marrëveshjeje finale.

Marrëveshja që i siguron Kosovës njohjen nga Serbia dhe ulësen në OKB, e cila nuk cenon në asnjë drejtim shtyllat e shtetësisë, funksionalitetit dhe integritetit të Republikës tonë, si dhe që është në koordinim me partnerët tanë strategjik SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, do ta ketë përkrahjen e Partisë Demokratike të Kosovës.

Megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka përgjegjësi të sillet me seriozitet në këtë proces dhe të ketë transparencë të plotë, në mënyrë që të ruhet fokusi themelor dhe të mos devijohet qëllimi kryesor me tema periferike e inekzistente, ngase synimet tona nga dialogu janë të qarta dhe në funksion të agjendës shtetërore, jo asaj politike.

https://www.facebook.com/100044662171388/posts/380593656772704/?sfnsn=mo