Meny gomari për baltosësit e diasporës

Trunaja e mjeruar nga vetëbegenisja nuk do të arrij ndoshta asnjëherë ta kuptojë se edhe kjo copë Shqipëri që e kemi sot, mbase nuk do ta kishim, sikur të mos ekzistonte kontributi dhe vullneti i njerëzve tanë që vepruan jashtë, në vende të largëta, përfshi Ismail Qemalin dhe plejadën e independistëve shqiptarë që farën e atdhedashurisë e ruajtën shumë më mirë se një pjesë e kombit të robëruar

Nga Emin AZEMI

Ajo çka ka bërë diaspora për atdheun dhe atdheu për diasporën, ndoshta do të duhej të jetë temë e një debati më përimtues, mirëpo ja që paska nevojë t’ua përkujtojmë vlerat e diasporës atyre që sot në vokabular dhe në komunikimin publik shërbehen me denigrime më të ulëta për këtë pjesë të kombit, që pa fajin e tyre, është degdisur nëpër botë.

Askujt s’i kishte shkuar mendja se do të vijë një ditë që duhet mbrojtur diasporën shqiptare nga harbutëria e sulmeve pa takt e pa dinjitet të një tufe njerëzish, të cilët, ose ndjehen të rrezikuar nga ndikimi i diasporës sonë në rrjedhat e këtushme financiare, zhvillimore ,politike e kulturore, ose veten e përfytyrojnë supermenë që munden edhe pa mbështetjen e njerëzve tanë larg atdheut.

Nëse idealizojmë gjithçka që vjen nga diaspora, sigurisht që do t’ia ngrehnim vetes kurthin e të shikuarit me ngjyra idilike të mënyrës së të jetuarit e menduarit që e imponojnë njerëzit tanë kur vijnë në vendlindje. Sigurisht që një pjesë e tyre nuk kanë pasur mundësi të arsimohen në nivele e kuota adekuate që i kërkon koha, dhe shumë normale është që mërgimtarët tanë kanë perceptim tjetër mbi temat e njëjta, ku jo rrallë ekzistojnë edhe disonanca vlerësimi në mes nesh.

Por, ajo çka mbetet konstante në gjithë vlerësimin mbi diasporën shqiptare është fakti se këta njerëz ishin zgjatim shumë i natyrshëm i idealeve tona të penguara për liri, prandaj jo rastësisht disa prej udhëheqësve të kryengritjeve tona luftarake vinin pikërisht nga diaspora. Dhe ata nuk ishin vetëm, as me armë, as me financa. Kryengritjet tona nuk do ta kishin objektivin e duhur për çka ishin ideuar në terren, poqe se nuk do ta kishin mbështetjen e fuqishme njerëzore, teknike, logjistike e financiare nga diaspora shqiptare në Europë, Amerikë, Kanada, Australi, Turqi e gjetiu.

Llogaritet se vetëm në Maqedoninë e Veriut së paku 150 mijë familje marrin mbështetje të rregullt nga familjarët e tyre në diasporë, ndërkaq buxheti i këtij shteti plotësohet për çdo vit me një shumë që kalon mbi 500 milionë euro para të thata që vijnë nga mërgata, ndërkohë që pikërisht këto mjete financiare shkojnë edhe në mbulimin e një pjesë të konsiderueshme të deficitit tregtar të Maqedonisë së Veriut. Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë, transferet private si shumë totale janë rritur nga 640 milionë euro në vitin 2003 në 1.4 miliardë euro në muajin mars të viti 2019.

Remitencat e pranuara në Kosovë gjatë vitit 2018, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shënuan vlerën prej 745.5 milionë euro, ndërkohë që për periudhën e parë të vitit 2019 janë 332 milionë euro, pra 24 milionë euro më shumë se 6 mujorin e parë të vitit të kaluar.
Gjithashtu edhe ekonomia e Shqipërisë vijon të mbështetet nga të ardhurat e emigrantëve që vinë në formë remitencash apo investimesh të ndryshme. Prurjet valutore të shqiptarëve që punojnë e jetojnë jashtë vendit, sipas Bankës Botërore, vlerësohen të kalojnë shifrën mbi një miliard e 500 milionë dollarëve amerikanë. Këto prurje konsiderohen si një burim shumë i rëndësishëm për shumë vende në zhvillim, përfshirë dhe Shqipërinë. Pas eksporteve, ato janë burimi kryesor i financimit të jashtëm si në terma absolute ashtu edhe në peshë relative kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Nëse të gjitha kontribute financiare do të mungonin, vendlindja jonë sigurisht do të shndërrohej në një fushë me thera gomari dhe pastaj do të mbetej me to të ushqehen ata që po e shajnë diasporën. Mund të ndodhë që nga të ushqyerit e tepërt me këtë meny gomarie, atyre t’iu dalin edhe veshët më të gjatë se ç’e kanë mendjen djerrinë.

Si është e mundur që mendja njerëzore të tregohet kaq dritëshkurtër te disa individë të cilëve nuk iu bie ndërmend që edhe Aleksandër Mojsiu, Faik Konica, Fan Noli, vëllezërit Frashëri, Karl Gega, Rita Ora, Jusuf Gërvalla, Enver Hadri, vëllezërit Belushi, Dua Lipa, Gjerdan Shaqiri, kardio-kirurgu Omer Xhemaili e shumë të tjerë, nuk do të ishin këta që janë, dhe nuk do të bënin emër të mirë që iu shërbeu edhe në ngritjen e atdheut të tyre, sikur ata të mos jetonin e vepronin në mërgim, ose në diasporë siç parapëlqejmë të themi.

Trunaja e mjeruar nga vetëbegenisja nuk do të arrij ndoshta asnjëherë ta kuptojë se edhe kjo copë Shqipëri që e kemi sot, mbase nuk do ta kishim, sikur të mos ekzistonte kontributi dhe vullneti i njerëzve tanë që vepruan jashtë, në vende të largëta, përfshi Ismail Qemalin dhe plejadën e independistëve shqiptarë që farën e atdhedashurisë e ruajtën shumë më mirë se një pjesë e kombit të robëruar.

Nuk është vështirë të mbrosh diçka që mbrojtjen e ka siguruar para se t’i nënshtrohet vlerësimeve kuturu, por më vështirë qenka të kuptosh se ku e ka burimin gjithë ky mllef, dhe ky irritim ndaj diasporës sonë. Nëse e kanë prej budallakisë, po ua falim, por nëse e kanë prej mendjemadhësisë, po vazhdojmë t’ua servojmë menynë e veshgjatëve.