Ministri Ademi për fundvitin shkollor: Ju përgëzoj për sukseset e arritura dhe dituritë e fituara!

Sot përfundon viti shkollor 2019/2020.

Të dashur nxënës, kisha dashur që këtë vit shkollor, sikurse vitet e kaluara ta përfundoni në bankat shkollore, të buzëqeshur bashkë me shokët e shoqet tuaja! Por, ja që ndonjëherë gjërat nuk shkojnë siç duam dhe planifikojmë.

Ne, të detyruar nga kriza me COVID-19, e që është ende prezent tek ne, u detyruam të ndërpresim mësimin nga mesi i muajit mars të këtij viti, por menjëherë filluam të zhvillojmë mësimin nga distanca përmes platformave të ndryshme onlajn si dhe njëherësh krijuam edhe programin edukativo-arsimor “TV-KLASA” e që u realizua me sukses.

Pavarësisht se mësimin në bankat shkollore askush më mirë nuk mund ta zëvendësojë, ju shfaqët interes të jashtëzakonshëm dhe përkushtim maksimal për të vazhduar mësimin nga distanca bashkë edhe me ndihmën e prindërve tuaj, dhe unë nuk kam asnjë dyshim se nuk keni ngecur aspak mbrapa me mësime.

Andaj, ju përgëzoj për sukseset e arritura dhe dituritë e fituara! Ju dëshiroj pushim të këndshëm deri në fillimin e vitit të ri shkollor, me shpresë se do të rikthehemi në bankat shkollore!

Në ndërkohë ju sugjeroj që gjatë pushimit të lexoni libra, romane dhe lektyra si dhe të merreni me aktivitete sportive, ndërsa semimaturantëve dhe maturantëve u dëshiroj suksese në regjistrime!