Ministri Bekteshi: Mbështetje për 48 kompani, me vlerë 53.4 milion euro

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, së bashku me zv. Kryeministrin Fatmir Bytyqi, kanë prezantuar procesin e detajuar nga nënshkrimi i marrëveshjeve me investitorët në përputhje me Ligjin për mbështetje financiare të investimeve.

Z. Bekteshi ka shkruar se “investimet e përgjithshme sipas planit të biznesit arrijnë në 53.4 milion euro, nga të cilat 29.2 milion euro në marrëveshjet e reja dhe 24.2 milion në aneks marrëveshjet. Më së shumti gëzon fakti se deri më tani me këto marrëveshje janë krijuar vende pune dhe në periudhën e ardhshme do të krijohen gjithsej 644 vende pune”.

Ja postimi i Ministrit Bekteshi:

Sot së bashku me zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi prezantuam procesin e detajuar nga nënshkrimi i marrëveshjeve me investitorët në përputhje me Ligjin për mbështetje financiare të investimeve. Viti 2020 për shkak të pandemisë mund të llogaritet si viti më i vështirë në aspektin ekonomik, megjithatë sot njoftuam se kemi nënshkruar marrëveshje të mbështetjes financiare me 48 kompani. Gjithsej 38 prej këtyre marrëveshjeve janë të reja, ndërsa 10 janë aneks marrëveshje. Investimet e përgjithshme sipas planit të biznesit arrijnë në 53.4 milion euro, nga të cilat 29.2 milion euro në marrëveshjet e reja dhe 24.2 milion në aneks marrëveshjet. Më së shumti gëzon fakti se deri më tani me këto marrëveshje janë krijuar vende pune dhe në periudhën e ardhshme do të krijohen gjithsej 644 vende pune.