Ministri Bekteshi, nuk e përkrah propozimin e Zaevit për shkurtimin e pagave

Deklarimi i ish kryeministrit Zoran Zaev se do të bëj shkurtimin e pagave për shumë kategori, duke përfshirë arsimtarët dhe administratorët, ka zgjuar reagimin e të gjitha partive në Maqedoninë e Veriut.

Reagim të tillë, pati edhe ministri në detyrë, Kreshnik Bekteshi, i cili ka potencuar se do ta kundërshtojnë këtë masë sepse dëmton shumë sektorë, jetik për situatën.

Madje, nga BDI doli lajme se janë gati të japin rrogat e tyre për administratorët, për funksionimin e institucioneve, të mos ketë ngecje në proces.

z. Bekteshi, në një prononcim rreth këtij propozimi të Zaevit, ka theksuar se duhet pasur kujdes, edhe si qeveri, edhe si parti politike.

“kur dilet në opinion me propozime, duhet bazuar në kalkulime të studiuara, se si propozimi si mund të ndikojë në ekonominë e në veçanti në buxhetet familjare”, ka cekur z. Kreshnik Bekteshi.

Z. Bekteshi, ka cekur se si ministër i Ekonomisë, nuk do ta mbështes këtë propozim nga z. Zaev, edhe për mënyrën si është propozuar dhe prezantuar.

Shkurtimi i pagave godet administratorët, arsimtarët dhe profesionet tjera, jetike për funksionimin normal të institucioneve, kur dihen të ardhurat dhe burimet e ekzistencës së qytetarëve, kreditë familjare dhe nevojat në situatat e emergjencës si kjo që përballet aktualisht bota, me virusin covid-19.