“Miqtë e zgjerimit”: E vlerësojmë zbatimin e reformave, BE-ja ka borxh vendimin për pranim

Ministrat e punëve të jashtme të Polonisë, Letonisë, Lituanisë dhe zëvendësministri i Estonisë për çështje evropiane, në cilësinë e grupit të vendeve anëtare të BE-së “Miqtë e zgjerimit”, sot u takuan me shefin e diplomacisë, Nikolla Dimitrov dhe cekën se e mbështesin Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s.

Ministri i Polonisë i Punëve të jashtme, Jacek Çaputoviç në konferencën e përbashkët për shtyp theksoi se i vlerësojnë përpjekjet që i ndërmarrin autoritetet e vendit në zbatimin e reformave.

“Shpresoj se BE-ja së shpejti do të fillojë negociata për anëtarësim të Maqedonisë së veriut dhe Shqipërisë. E vlerësojmë pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në procesin e Berlinit vitin e kaluar. Polonia kryesoi me këtë proces, qëllimi i të cilit është të mbështesë integrimin evropian të vendeve nga ky rajon”, tha Çaputoviç.

Ai shfaqi shpresë se për disa javë Republika e Maqedonisë së Veriut do t’i bashkangjitet NATO-s.

“Sigurimi i anëtarësimit në këto institucione, BE dhe NATO, është posaçërisht me rëndësi sepse katër vendet tona janë të gatshme ta ndajnë përvojën e vet në procesin e negociatave me BE-në, por edhe për atë se si të përballeni me rreziqet e sigurisë që dalin nga aktorë të tjerë të jashtëm. Ka një dimension etik të anëtarësimit të vendeve nga rajoni në BE. Konsiderojmë se BE-ja ua ka borxh këtyre vendeve vendimin për t’i pranuar në BE, ai është borxh ndaj shoqërisë, ndaj qytetarëve, por këtu është edhe dimensioni i sigurisë dhe ka edhe aktorë të tjerë jashtë BE-së të cilët janë aktivë në rajon, kështu që vendimi për fillim të negociatave do ta parandalonte ndikimin negativ”, tha Çaputoviç.

Ministri Dimitrov informoi se Polonia, Letonia, Lituania dhe Estonia janë anëtare, pjesë e të ashtuquajturit grup “Miqtë e zgjerimit” dhe janë këtu për të na dhënë, siç tha, mbështetje dhe sinjal të qartë.

“Vijnë dy ditë pas shpalljes së Raportit të azhurnuar të shkurtë apo siç e quajmë ne mini Raportit të Komisionit. Komisioni evropian tha se ne reflektuam, se jo vetëm që vazhduam, por edhe i rritëm përpjekjet reformuese dhe reflektuam rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme reformuese. Paraprakisht, Komisioni propozoi metodologji të re për atë se si do të zbatohet procesi i inkuadrimit. Dhe mendoj se këto dy shtylla janë bazë e shkëlqyeshme që përfundimisht të ketë reflektime edhe nga ana e BE-së, një vendim i qartë, i padyshimtë, i prekshëm, i qëndrueshëm për negociata inkuadruese”, theksoi Dimitrov.

Ministrat e punëve të jashtme prej dje ndodhen për vizitë në vend, në cilësinë e përfaqësuesve të grupit të vendeve anëtare të BE-së “Miqtë e zgjerimit” dhe mbrëmë u pritën edhe nga presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.//Zhurnal.mk