“Monstra”, bisedat telefonike dëgjohen pa praninë e mediave

Seanca gjyqësore për rastin “Monstra” është zhvilluar pa praninë e mediave, pasi ashtu si edhe në seancën e kaluar, u prezantuan biseda telefonike dhe SMS porosi të cilat kishin mundësi t’i dëgjonin vetëm familjarët e personave të vrarë.

Përjashtimi i mediave u bë me arsyetimin se po prezantohen masa të veçanta të hetimit. Por, avokatët e të vrarëve dhe të të akuzuarve kishin qëndrime të ndara rreth materialeve që duhet dëgjuar.

“Në këtë stadium të procedurës ne nuk kemi nevojë që të kundërshtojmë kompetencën e PSP-së, pasi që nuk kemi çfarë të fshehim, jemi të sigurt që nuk kanë faj këta të akuzuar dhe vetëm me këto biseda që janë në mënyrë joligjore të kompletuara mendoj që do të ndihmojnë vetëm që gjendja faktike deri në fund të realizohet”,- tha avokati i të akuzuarve, Naser Raufi.

“Kam pyetur nëse ka nevojë të dëgjojmë të gjitha ato biseda që nuk janë thelbësore dhe nuk janë me rëndësi vitale për të marrë në fund një vendim të tillë ose të atillë. Kjo do të kontribuonte vetëm në vonesë, në fakt kush jemi ne të dëgjojmë bisedat private midis disa njerëzve të cilët nuk janë të rëndësishëm për ngjarjen dhe e gjithë kjo do të merrte shumë kohë”,- deklaroi avokatja e familjeve të pesë të vrarëve te liqeni i Smillkovës, Dafinka Ivanovska.

Për rastin “Monstra” me burg të përjetshëm u dënuan Ali Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi e Haki Aziri si dhe Sami Luta. Mirëpo në dhjetor të vitit 2017, Gjykata Supreme anuloi aktvendimet dhe i la të lirë të dënuarit, Agim Ismailloviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri, të cilëve u caktoi masë të kujdesit.

Pas heqjes së aktvendimeve, rastin “Monstra” e mori në shqyrtim Prokuroria Speciale Publike dhe lënda u kthye në rigjykim. Të akuzuarit, Afrim Ismailoviç dhe Halil Demiri, ende ndodhen në arrati.