Mos bëni hajgare me studentët e dhjetësheve!

Ku shpie kjo tendencë e diskualifikimit të kuadrove shembullorë dhe kush i ka shpikur këto kritere idiotike që përkatësinë partiake e vendosin mbi çdo vlerë që sjell shkollimi cilësor?! Në shoqërinë shqiptare gjithmonë do të ketë zëra kundër këtyre kritereve dhe deri sa të ketë parti politike që favorizojnë librezën partiake para diplomës me dhjetëshe të një kuadri, punët tona do të shkojnë keq e më keq

Nga Emin AZEMI

Nëse në një konkurs për punë paraqiten disa kandidat, cilat kritere duhet të merren parasysh që kandidatët të punësohen? Ose, ndër kriteret që zakonisht kërkohen nëpër konkurse janë: përvoja, kualifikimi arsimor adekuat, nota mesatare, njohja e gjuhëve dhe posedimi i shkathtësive teknologjike, varësisht se për çfarë vendi të punës bëhet fjalë.
Por, ndodhë që ndonjëri prej këtyre kritereve të mos zbatohet, sepse është një mbikriter që domoninon dhe mjafton të kesh ndonjë afërsi partiake, për të siguruar vendin e punës.
Javë më parë në një spital rajonal tonin, për dhjetë vende pune, kishin konkurruar shumë mjekë të diplomuar, por nuk ishte pranuar njëra që kishte pasur notën mesatare gati 10. Ajo tani po bëhet gati të shkojë në Gjermani, sepse atje nuk i kërkojnë të kesh afërsi partiake për t’u punësuar.
E kemi trajtuar disa herë çështjen e abuzimit me kriteret që duhet të ndiqen procedurat e pranimit në punë të njerëzve. Disa herë kemi apeluar se jo rrallë këto kritere shkelen dhe jo rrallë jashtë vendeve të punës mbeten të rinj e të reja që kanë rezultate shembullore në shkollim dh në vend të tyre pranohet tjetër kush.
Ka plot raste të dhimbshme që të diplomuarit ankohen se rezultatet e larta të tyre në studime as që përfillen nga aparatçikët partiak. Këta të fundit, inferioritetin e tyre ndaj këtyre talenteve e kanë shprehur me arrogancën e refuzimit dhe për rrjedhojë ka sajuar një selektim negativ, ku më i dobëti del në krye të listës, kurse studenti i dhjetësheve, ose pret kot disa vite të punësohet, ose i grah udhës së kurbetit.
Ku shpie kjo tendencë e diskualifikimit të kuadrove shembullorë dhe kush i ka shpikur këto kritere iditotike që përkatësinë partiake e vendosin mbi çdo vlerë që sjell shkollimi cilësor.?!
Në shoqërinë shqiptare gjithmonë do të ketë zëra kundër këtyre kritereve dhe deri sa të ketë parti politike që favorizojnë librezën partiake para diplomës me dhjetëshe të një kuadri, punët tona do të shkojnë keq e më keq.
A po bëhemi ne vet stimulues të ikjes së të rinjve të talentuar, duke ua asgjësuar shanset atyre të kenë trajtim të dinjitetshëm në vendlindje?
Kush do ta ndalë këtë avari në sistemin tonë të çrregulluar të vlerave?! (koha.mk)