MPPS: Kompanitë t’ua paguajnë K-15 punëtorëve të tyre

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) ju bën thirrje kompanive private t’i respektojnë detyrimet e Ligjit për marrëveshje kolektive, në mesin e të cilave edhe pagesën e K-15 deri në fund të vitit.

Siç thonë nga MPPS, pagesa e regresit për pushim vjetor (K-15), është e drejtë që garantohet me marrëveshjen për ndryshim dhe plotësim të marrëveshjes kolektive të përgjithshme për sektorin privat nga fusha e ekonomisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në marrëveshje thuhet se punëtori ka të drejtë për regres për pushim vjetor në vlerë prej së paku 40 përqind nga paga bazë, me kusht që punëtori të jetë i punësuar së paku gjashtë muaj kalendarik tek i njëjti punëdhënës.

MPPS i fton edhe punëtorët, të cilëve nuk ju është paguar K-15, ta paraqesin në numrin e Inspektoratit Shtetëror të Punës – 15131.