MUSTAFA PAS TAKIMIT ME KURTIN: NUK U DISKUTUA PËR NDARJEN E MINISTRIVE

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa janë dakorduar që pas certifikimit të rezultateve, do të takohen dhe pas tri ditëve do ta arrijnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës.

Kështu u tha pas takimit të dy liderëve, ku u deklarua se sot në këtë takim nuk është biseduar edhe çështja e postit të presidentit dhe ndarja e ministrive.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i cili po synon udhëheqjen e qeverisë së re, Albin Kurti pas këtij takimi, tha se sot u diskutua për programin qeverisës dhe për marrëveshjen përfundimtare me Lidhjen Demokratike të Kosovës.“Patëm një takim konstruktiv me kreun e LDK-së. Ne të njëjtën kohë kishim edhe takimin e grupeve punuese që po e harmonizojnë programin e ardhshëm qeverisës. Në këtë takim ne diskutuam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe u morëm vesh që 1 orë pas certifikimit të rezultatit, shpresojmë e besojmë javën e ardhshme do të takohemi në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen brenda 3-4 ditëve”.

“Pra jemi marrë vesh që do të merremi vesh menjëherë pas certifikimit të rezultateve. Meqë rast, ftesa ime dhe përgjigja pozitive e kryetarit Mustafa është e dhënë se një orë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ. Pas këtij rinumërimi, ne do të takohemi për të kryer brenda 72 orëve apo më pak se 100 orëve marrëveshjen tonë përfundimtare për koalicionin e ardhshëm qeverisës”, tha Kurti.

E kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se sot nuk është diskutuar për postin e presidentit dhe ndarjen e ministrive.

“Për poste nuk kemi biseduar sot, nuk kemi biseduam as për ministri konkrete, kemi biseduar vetëm për atë që ne do të merremi vesh me marrëveshjen për koalicion për të gjitha pozitat që ne do të sfidohemi gjatë katër vjeçarit të ardhshëm të koalicionit të ardhshëm, nëse arrijmë ta bëjmë marrëveshjen e qeverisjes”, tha Mustafa.