Myftinia BFI-Shkup: Nga padija mos hudhni korniza me shkrime islame në mbeturina, ky veprim është i ndaluar në Islam!

Myftinia e Shkupit me kujdes të veçantë po ndjek situatën e krijuar si pasojë e pandemisë së Covid-19 me ndihmën e hoxhallarëve të Shkupit me rrethinë dhe besimtarëve shkupjanë në përgjithësi, të cilëve publikisht u shprehim mirënjohe të përzemërta sepse rregullisht raportojnë gjendjen që mbizotëron në gjitha rajonet e Shkupit me qëllim të ndërgjegjësimit të besimtarëve dhe ofrimin e zgjidhjeve mbi rregullat e përgjithshme fetare, në bazë të rekomandimeve të BFI-së si dhe të institucioneve relevante mbi kujdesin ndaj shëndetit dhe rendit publik përgjatë kësaj periudhe.

Feja Islame i kushton rëndësi të veçantë dhe i jep përparësi gjithmonë pastërtisë dhe shëndetit të njeriut bazuar në Fjalët e All-llahut (xh.sh) dhe gjitha mësimeve profetike.

Por, për të pasqyruar moralin e vërtetë islam, ne si besimtarë e kemi për detyrë që tu permbahemi rregullave fetare edhe gjatë pastrimit dhe mirëmbajtjes së ambientit ku jetojmë, andaj duhet të dijmë saktë se si dhe ku duhet hudhur mbeturinat dhe se në aspekt fetar çka konsiderohet mbetje që lejohet të hudhet në mbeturinë dhe anasjelltas.
Në këtë kontekst, kemi hasur një veprim që besojmë se nuk bëhet qëllimisht por si rezulat i moskujdesit nga ana e qytetarëve gjatë pastrimit të shtëpive të tyre, ku mbushen parqet e rrugët, e madje ndoshta me padije hudhen në mbeturina korniza me mbishkrimet Allah dhe Muhammed, andaj rikujtojmë të gjithë besimtarët se ky veprim është i ndaluar në islam.

Në lidhje me këtë çështje, ju sjellim udhëzimin në bazë të mësimeve profektike dhe dispozitës islame si vijon:
Nese fjala e Allahut, si rezultat i gjendjes së tij të vjetërsuar nuk mundet të lexohet ose letra e tij griset, ky tekst Kuranor, duhet të varroset.

Pra, mbështillet me ndonjë rrobë të pastër dhe varroset në vend të pastër ku nuk frekuentojnë njerëzit ose nëse nuk ka mundësi ta bëjë këtë alternativa tjetër është se mund të digjet dhe hiri të hudhet në ndonjë vend ku nuk frekuentojnë njerëzit që don të thotë se hiri nuk guxon të hudhet në ndonjë vend të papastër ose në kontejner.
Varrosja e fletëve të vjetruara ose të grisura nuk nënkupton përbuzje, pra varrosja nënkupton respekt ndaj Kuranit.
Një veprim i tillë bëhet me qëllim që Kurani mos nëpërkëmbet dhe mos degradohet.

Ashtu që varroset sikur muslimani ndërsa varrimi i besimtarit nuk nenkupton zhvlerësim por respekt dhe nder ndaj të vdekurit.

Obligim fetar i gjithsecilit prej nesh është që ta demonstrojmë edukatën islame edhe në çështjen e pastërtisë , fillimisht duke u kujdesur ndaj vetes, ndaj të tjerëve, ndaj vendit ku jetojmë, duke vepruar me përgjegjësi dhe maturi dhe të këshillohemi për cdo veprim që ndërmarim në jetën e kësaj bote.

Lusim All-llahun Fuqiplotë që të na forcojë edhe më tepër shpirtërisht përballë kësaj sprove, pandemisë së virusit COVID-19!

Me lutje për ju,

MYFTINIA E BFI – SHKUP

Dr.Qenan ef.Ismaili
Myfti