Ndahet nga jeta ish-deputeti i Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka dërguar një telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së profesor, Binak Kastratit.

Mustafa ka shkruar se sot ka pranuar lajmin e hidhur që ka ndërruar jetë profesor, Binak Kastrati, ndër mjekët e parë shqiptarë në Kosovë.

Mustafa më tej ka shkruar për veprimtarinë e Kastratit i cili thotë se u angazhua tërë jetën për ndërtimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe të arsimimit të gjeneratave të reja të mjekëve në vendin tonë.

Ai po ashtu përmend punën e tij në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e para demokratike të vitit 1992.

Ky është telegrami i plotë:Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa me rastin e vdekjes së prof. dr. Binak Kastratit dërgon këtë telegram ngushëllimi:

Sot pranova lajmin e hidhur që ka ndërruar jetë prof. dr. Binak Kastrati, ndër mjekët e parë shqiptarë në Kosovë.

Ai u angazhua tërë jetën për ndërtimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe të arsimimit të gjeneratave të reja të mjekëve në vendin tonë.

Dr. Kastrati dha kontribut të pafund në institucionet shëndetësore para dhe gjatë viteve të 90-ta dhe u zgjodh deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para demokratike të vitit 1992.

Dr. Kastrati ishte kryetar i Shoqatës së Mjekëve shqiptar gjatë periudhës 1990-1999 ku ishte aktiv në sensibilizimin e çështjes shqiptare duke përfaqësuar Kosovën në Evropë dhe më gjerë.

Dr. Kastratin do e kujtojmë gjithnjë si mjek, humanist, atdhetar dhe profesor i shumë gjeneratave të mjekëve dhe specialistëve në Kosovë.