Ndërrimi i emrit të shkollave shqipe në Çair, aktori maqedonas: Do të na ndërrojnë të gjitha toponimet

Ish-drejtori i Teatrit të Dramës në Shkup, Sasho Tasevski është përfshirë në debatin lidhur me ndërrimin e emrave të shkollave shqipe në Çair.

Ai përmes një statusi në rrjetet sociale ka shkruar se apetitet vetëm se rriten e rriten.

“Ngadal do të ndërrojnë edhe të gjitha toponimet, jo vetëm të shkollave. Ata kanë shkuar aq sa kërkojnë shpërblime edhe në Bubamara”, ka shkruar Tasevski duke aluduar tek shqiptarët.

Sipas tij, ata do të shënojnë edhe territore, do të marrin çdo pëllëmbë, deri kur do të trokas ora e ndarjeve dhe kantonizimit. “Kjo nuk është publikim nacionalist, mos u mundoni ta komentoni si të tillë. Kush më njeh, a është shqiptar apo marsoid, e di se nuk është. Ky është një apel që të ndaloni dhe të hapni sytë. Nëse me vetëdije e lejoni këtë, do të paguani çmimin marramendës secili personalisht, edhe kolektivisht”, ka shkruar ndër të tjera aktori maqedonas.