Në prag të zgjedhjeve në Mal të Zi, në 10 pyetje flet Nikollë Camaj

1.    Pse duhet të ju besojnë shqiptarët?

Sepse jemi opsioni më unik, më shpresëdhënës, i dëshmuar për bashkëpunim dhe seriozitet, e që ndonjëherë u është ofruar shqiptarëve në Malin e Zi. Këtu kombinojnë përvoja 30 vjeçare e njerëzve të kalitur në sakrifica, dhe gjenerata e re, e mbushur me energji pozitive, e dashamirësi ndaj vendit të vet. Kështu që, Listën shqiptare mund të mos e votojë vetëm dikush që ka tru tepër të vogël, apo interes tepër të madh!  

2.    Çka pritni nga ky bashkim i forcave, nga Buna, Ulqini e Tivari, përmes Malësisë, Plavës e Gucisë, e deri në Rozhajë? A do të arrini të thyeni heshtjen e zonave tradicionale me shqiptarë, për të dalë te kutitë e votimit?

E çka mund të presim tjetër, përpos përkrahjen e të gjithë atyre që mendojnë, e që frymojnë shqip. Heshtja veç është thyer, sepse shqiptarët e kanë të qartë se duhet dal në zgjedhje dhe përkrahur ata që preferojnë bashkimin. Shqiptarët vetëm si të bashkuar mund të dalin fitues. 

3.    Cilat janë prioritet Tuaja në Kuvend dhe Qeveri?

Në rend të parë, përfaqësimi dinjitoz i shqiptarëve dhe interesave kombëtare, qoftë kur trajtohen çështje të identitetit, qoftë kur trajtohen çështje ekonomike. Dihet se prioritet gjithnjë kemi pasur identitetin, mirëpo nuk ka barazi të mirëfilltë kombëtare, pa barazi ekonomike, e siç dihet, pasuritë natyrore të trevave shqiptare në Malin e Zi janë plaçkitur, e lënë mas dore ekonomikisht, mu për faktin se gjithherë është udhëhequr një politik diskriminuese dhe asimiluese ndaj popullatës autoktone të këtyre trevave. Ne nuk e kemi ndërmend të jemi pjesë e qeverisë, sa për të zënë kolltukët, por duke zënë pozicione vendimtare, të realizojmë, me përpikëri platformën tonë zgjedhore, gjithnjë përmes një përfaqësimi sa më dinjitoz.

4.    A pritni që çështjet jetike të shqiptarëve të marrin epilog, si: zhvillimi ekonomik dhe ndaljen e shpërnguljes së rinisë?

Presim që të gjitha këto të futen në procesin e zgjidhjes dhe, siç dihet, çka fillon nuk mbetet pa u mbaruar. Natyrisht se ato që janë grumbulluar me dekada, vështirë se do të zgjidhet për krye nate, por jam ma se i sigurt se ky mandat katërvjeçar do të jetë i mjaftueshëm për t’i vënë në rendin e ditës që të gjitha.

5.    Sa jeni të kënaqur me strategjitë e deritashme për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve?

Deri më tani kemi zgjedhur dy çështje, atë të flamurit dhe të komunës së Tuzit, si edhe pjesërisht, atë të përdorimit të gjuhës shqipe, por mbetet edhe shumë për të dëshiruar, mbetet edhe shumë për të punuar. 

6.    Si i shihni partneritetet në të ardhmen, në zonat ku ka më shumë komunitete?

Aty ku ne jemi shumicë, të jemi zot në shtëpinë tonë, kurse aty ku nuk jemi, ofrojmë partneritet që do të thotë respektim e asaj që ne ua respektojmë të tjerëve në viset tona.

7. Cili është mesazhi i Listës Shqiptare për 30 gushtin për qytetarët e Malit të Zi?

Asnjë votë për partitë joshqiptare. Ata kanë pasur kur të merren me çështjet tona, po të kishin dashur. Por, të ma thonë përfaqësuesit shqiptarë, nga listat e ashtuquajtura qytetare, një çështje të vetme që e kanë zgjedhur, apo propozuar për ta zgjedhur. Ata vetëm i kanë kundërshtuar, natyrisht, në pajtim me qëndrimet partiake, çdo propozim që vinte nga pala shqiptare, filluar nga komuna e Tuzit e deri te përdorimi i gjuhës dhe simboleve kombëtare. Prandaj dilemë nuk ka,  kur është në pyetje zgjedhja mes Listës shqiptare dhe të tjerëve; Lista me numer 10 është pa konkurencë kësaj radhe. 

8.    Mesazhi Juaj për diasporën?

Na duheni…ejani! E dimë se është kohë e vështirë për të udhëtuar, kohë pandemie; e dimë se ka edhe rreziqe e shpenzime. Por, meqenëse ishit çdo herë aty ku e kërkoi vendlindja, mendoj se edhe kësaj radhe e keni vendin këtu. Ju jeni bijtë e këtij trualli njëlloj si ne, dhe përpos faktit se ne jetojmë këtu, nuk mund t’ia duam të mirën më tepër se ju. Madje, ju këtë e doni pa far interesi, çka nuk mund të thuhet për ne që jemi këtu. Prandaj ejani, që të çmallemi dhe të festojmë së bashku!

9.    Fitorja dhe fuqia e shqiptarëve është te bashkimi, cila është porosia Juaj për shqiptarët?

Vetëm të bashkuar mund të ecim përpara. Por të bashkuar me sinqeritet e pa hile, siç është edhe ky koalicion. Pa shikoni pankartat tona, pa asnjë shenjë partiake, pa asnjë shenjë dallimi, vetëm shenjën e bashkimit, Lista shqiptare. E dihet se armiku na do të ndarë. Devide et impera! Ne kësaj parulle iu kundërpërgjigjem me aksion konkret. U bashkuam!

10. Bashkimi në këto zgjedhje do të jetë mësim për historinë, mesazhi Juaj për të rinjtë që për herë të parë dalin në votime?

Ashtu siç i kam mësuar edhe sa isha mësimdhënës, të rinjtë të duan e të respektojnë vetën, e kombin e vet, para të tjerëve. Të mos i turpërohen kurrë identitetit të vet, por as të mos fshihen pas tij. Të marrin përgjegjësi për veprimet e veta dhe të kenë para sysh, se po qe se nuk respekton vetën, dhe tëndin, më pak do të të respektojnë të tjerët. Potenciali i rinisë sonë nuk guxon të vihet në shërbim të atyre që kanë interesin personal para atij kombëtar, apo së paku të vendit ku jetojnë.