Në ShBA fillon të testohet në njerëz vaksina kundër koronavirusit

Një zyrtar qeveritar në Shtetet e Bashkuara ka thënë se të hënën ka filluar testimi në njerëz i një vaksine kundër koronavirusit.

Ky eksperiment është përkrahur financiarisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe po zhvillohet në Institutin Kërkimor Shëndetësor të Uashingtonit. Zyrtari që e bëri të ditur fillimin e testimit foli në kushte anonimiteti.

Zyrtarët shëndetësorë më parë kanë thënë se nevojitet një kohë prej 12 deri 18 muajve që të miratohet plotësisht përdorimi i ndonjë vaksine kundër virusit që e ka përfshirë pjesën më të madhe të botës, shkruan “AP”, transmeton Gazeta Express.

Testimi i vaksinës do të fillojë me 45 vullnetarë të rinj e të shëndoshë. Ata do të marrin doza të ndryshme, të cilat janë përgatitur nga kompania “Moderna Inc.” në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit.