Në vend të profilit: H. Sulejman ef. Rexhepi, një lider fetar, model i vlerave kulmore

Për ta portretizuar profilin kompleks të Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman efendi Rexhepit, nuk mjafton një shkrim i vetëm, sepse figura e tij del përtej kornizave që mund të vendos një qasje, sado objektive qoftë ajo. Qëndrimet e tij tepër të vendosura dhe të guximshme, vizioni për një botë me diversitete fetare dhe fokusimi i dimensionit kombëtar shqiptar në përhapjen e vlerave pozitive, janë disa nga linjat që mund të merren si bazë për një portretim të mundshëm të profilit të tij, i cili në të ardhmen do të pasurohet edhe me vlera të tjera që do të integrohen në figurën e tij.
Gjyla HALILI
Kompleksiteti i figurës së Reis’ul-Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, ka tërhequr vëmendjen e një opinion publik më të gjerë, si dhe personaliteteve të shquara dhe kjo ka ndodhur mu në kohën kur pati tendenca që Islami të keqpërdoret për qëllime jo të mira. Konfrontimet që erdhën si pasojë e kësaj tendence imponuan nevojën që njerëzit të ndahen në ata që e mbështesin ekstremizmin fetar dhe në ata që janë kundër këtij ekstremizmi. Në këtë betejë jo të barabartë, megjithatë ka triumfuar zëri i arsyes dhe i rezonit të shëndoshë.
Një nga përfaqësuesit e këtyre zërave pa dyshim që ka qenë dhe mbetet edhe Reis’ul-Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili ka qenë shumë i vendosur në mbrojtjen e kauzave të drejta morale në Islam, ku barabarësia e racës njerëzore konsiderohet një nga postulatet më të shenjta.
Në funksion të këtyre kauzave, ai nuk ka hezituar të del në mbrojtje të të gjithë atyre që janë ndjerë të kërcënuar nga ndonjë veprim jo i matur i atyre që Islamin e përdorin si mburojë për të arsyetuar devijimet e tyre që janë kundër frymës së tolerancës që propagon vet Islami.
Reis’ul-Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi jo rrallë për t’ua përkujtuar gjithë ata që i bëjnë këto manipulime në emër të njëfarë xhihadi islamik, ka cituar Ajetin 32 i sures El Maide i cili sqaron në mënyrën më të mirë qëndrimin e besimit Islam ndaj dhunës dhe ndaj vrasjes në përgjithësi.
“Kush e mbytë një njeri pa të drejtë, pa pasur mbytur ai ndonjë tjetër dhe bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush bëhet shkaktar që ai të jetë gjallë, është sikur i ka shpëtuar të gjithë njerëzit…”(El Maide:32)
Për ta elaboruar më detajisht këtë ajet, Reis’ul-Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi , në një nga kolumnat e tij do të shprehet: ‘Sa herë që ndodhë një vrasje në mesin tonë dhe një jetë njeriu ndërpritet dhunshëm, përjetoj një dhembje të veçantë sepse kujtoj që nga druri i ekzistencës tonë po këputet një gjeth i cili nuk e kishte kohën për të rënë. Mendoj kështu sepse jeta dhe vlera e sajë është e mbrojtur me të gjitha rregullat e Islamit. Mendoj kështu sepse kam bindjen që të drejtën për të marrë jetën e ka ekskluzivisht Krijuesi i jetës, andaj Islami ndalon në mënyrë decide të merret pa të drejtë jeta e dikujt’.
Mjerisht, jo gjithmonë Islami është kuptuar si fe e paqës edhe nga bashkëqytetarët tanë ortodoks, të cilët duke qenë nën ndikimin e propagandave politike kanë rënë pre e maipulimeve e dezinformatave të ndryshme.
Duke folur për rëndësinë që ka feja, zoti Rexhepi ka thënë se askush nuk duhet të ketë frikë nga besimtarët myslimanë në Maqedoni, sepse ata duhet shikuar si shtyllë kyçe për stabilitetin e shtetit të Maqedonisë.
Por, për të qenë edhe më i qartë në qëndrimet e tij, ai ka dashur të dërgoj mesazh edhe tek të gjithë ata që kanë rezerva të caktuara ndaj shqiptarëve.
‘Shqiptarët e Maqedonisë kanë kontribuar për një bashkëjetesë të pashoqe në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve, kanë dhënë kontribut të pamohueshëm për shtetin e Maqedonisë, për vetë popullin maqedonas, për fenë dhe Kishën e tyre, për gjuhën, për historinë, për kulturën maqedonase, të cilat kurrë nuk i kanë mohuar. Po pse kaq mllef e urrejtje kundër shiptarëve?’
Kur flet për shqiptarët, Reis’ul-Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi , e ka parasysh edhe përcaktimin e tyre për të qenë pjesë e civilizimit Perendimor dhe sidomos pjesë e një miqësie të përhershme me Amerikën.
Për ta shkoqitur këtë koncept të tij, ai ka dhënë disa here mendime të hapura, kurse në një pjesë të shkrimeve të tij mbi këtë temë do të veçojmë një fragment:
“Shqiptarët, deri më një, tani janë për inkuadrim dhe integrim në familjen e madhe europiane të BE-së. Dhëntë Zoti që të gjitha tokat shqiptare (të gjitha ata troje që banohen nga shqiptarët) sa më parë të jenën nën një kufi të BE-së. Me shpirt i lutem Zotit që edhe Maqedonia të inkuadrohet sa më shpejt në këtë familje europiane.
Nuk ka shqiptar në botë që sot nuk e ka gojën përplot Amerikë. Nuk ka shtëpi shqiptari që nuk e ka flamurin e Amerikës. Nuk ka shqiptar në botë të cilit do t’i pengonte sot flamuri apo stema amerikane. (2014)
Dhe e gjithë kjo qartësi mendimi nuk do të arrihej sikur të mos merrej për bazë Kurani, si një burim i pashtershëm i i të gjitha energjive krijuese e pozitive mbi tokë.
“Kurani si libër i shenjtë, e që njëherësh llogaritet si Kushtetuta e të gjithë myslimanëve në botë, në tekstin e vet 33 herë përmend paqen, vetëm dy herë e përmend luftën dhe në asnjë rast nuk e përmend armën – shpatën. Kjo do të thotë se të gjitha janë insinuata, që në vazhdimësi, trillohen për Islamin”, ka deklaruar Rexhepi.
Ai në të gjitha paraqitjes e tij publike dhe në shkrimet e ndryshme publicistike e eseistike ka shprehur pikëpamje që janë afër natyrës njerëzore, ku ‘Vetëm rikthimi i sinqertë te besimi ndaj Zotit i krijon njeriut mundësinë e të kënaqurit me vetveten’, thotë ai.
Për ta zbërthyher sa më mirë filozofinë e tij mbi njeriun në kushtet kur ai ndodhet i rrethuar nga lakmia dhe nga kotësirat që nganjëherë i prodhon moderniteti, në një nga kolumnat e tij, ndër të tjera shkruan: ‘“Mjerisht, bukuria dhe kënaqësia e besimit që Krijuesi i ka krijuar si ndjenja të përhershme, sikur kanë filluar të anashkalohen nga pakë prej vetë njeriut i cili, duke u zhytur në dimensionin e kotësisë që po ia lëndon dukshëm gëzimin e ekzistencës dhe fuqinë e mbështetjes në Zot, po e mbytë mundësinë për të konceptuar botën dhe jetën si diçka që duhet shijuar në tërë kompleksitetin e vetë.Lumturia e rrejshme, në fakt, është fatkeqësi, kurse ikja nga Zoti është rrënim që njeriun e ndanë nga qenësia e tij, është shkatërrim i shpirtit. Vetëm rikthimi i sinqertë te besimi ndaj Zotit i krijon njeriut mundësinë e të kënaqurit me vetvehten, me mjedisin, me familjen dhe miqtë, me fqinjtë dhe me njerëzit me të cilët bashkëjeton”.
Duke vlerësuar lart figurën e Reis’ul-Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, sidomos kontributin e tij në promovimin e vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë , Ilir Meta, në vitin 2016, vlerësoi atë duke e dekoruar me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Motivi i dekorimit ishte si vijon: “Për merita të shquara në promovimin e vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare. Në vlerësim të mbrojtjes së interesave dhe jetës fetare islame mes shqiptarëve, të kujdesit për zhvillimin e shkollimit, të institucioneve fetare në frymën kombëtare, si dhe përpjekjeve për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar”.
Për vlerësim që i bënte Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman efendi Rexhepi, kishte shprehur faleminderimet e sinqerta dhe me atë rast kishte deklaruar: “Kjo dekoratë e lartë është e lakmueshme për çdo shqiptar kudo ku gjendet e jeton në botë. Për të gjithë ata që i thonë nënës ‘nënë’, bukës ‘bukë’, ujit ‘ujë’, nga foshnjëria e tij e deri në frymën e fundit të jetës së kësaj bote. Është nder dhe kënaqësi e çdo shqiptari të tillë të dekorohet me një dekoratë të tillë”.
Kreu i BFI-s; nuk mbeti pa u vlerësuar edhe nga institucionet tjera, të cilët shprehnin konsideratat e tyre të thella për këtë figurë kompekse që vazhdon të rrezatojë humanizëm dhe mirëkuptim për të gjithë njerëzit, pa dallim fenë apo kombin e tyre.
I kësaj natyre është edhe mirënjohja që vjen nga Instituti Evropian për Menaxhim, Drejtësi dhe Diplomaci, i cili dekoroi Reisul Ulemanë e BFI, me çmimin “Best Spiritual Leader 2015” apo “Udhëheqësi më i mirë shpirtëror 2015”.
Institucioni në fjalë, çdo vit i dekoron personalitetet më të rëndësishëm dhe më produktivë në sferat përkatëse dhe ky nder në vitin 2015 i takoi liderit fetar nga Maqedonia h. Sulejman ef. Rexhepit.
Ndërkaq ata që kanë ndjekur profilin e publik të këtij lideri, kanë mundur të vërejnë se ai është një model i mirë i përhapjes së vlerave shpirtërore ndër njerëzit dhe kultivues i diversiteteve fetare, kurse kjo ka qenë edhe arsyeja që Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ta dekorojë Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman efendi Rexhepin, me titullin “Imazhi i kombit”.

Për ta portretizuar profilin kompleks të Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman efendi Rexhepit, nuk mjafton një shkrim i vetëm, sepse figura e tij del përtej kornizave që mund të vendos një qasje, sado objektive qoftë ajo. Qëndrimet e tij tepër të vendosura dhe të guximshme, vizioni për një botë me diversitete fetare dhe fokusimi i dimensionit kombëtar shqiptar në përhapjen e vlerave pozitive, janë disa nga linjat që mund të merren si bazë për një portretim të mundshëm të profilit të tij, i cili në të ardhmen do të pasurohet edhe me vlera të tjera që do të integrohen në figurën e tij.