Në veten e parë: Unë e Fidani

Shkruan: Dush Gashi

Kur Berat Buzhala me shokët e tij e hapën televizionin, unë pata konkurruar. Konkursi ka qenë publik dhe unë isha bukur do kohë pa punë.

Ta kemi të qartë: unë aty s’do të shkoja pa kushte, më shumë për gazetarinë e lirë dhe profesioniste, se sa për pagë. Gazetaria nuk shitet.

Kështu kam vepruar gjithmonë: kur kam pasur hapësirë për të shkruar lirisht, kam shkruar, aq sa kam mundur e ditur. Nuk jam duke thënë se e kam bërë namin, vetëm po e tregoj parimin nga i cili jam udhëhequr. Njerëzit janë gjallë dhe, në kohën e rrjeteve shoqërore, edhe mund të reagojnë e të dëshmojnë. Në të kundërtën, më parë kam bërë punë periferike në gazeta, madje edhe të zorshme e me pagë kurrëfare, në mënyrë që të mos gjendem në situatë që të shkruaj me porosi, d.m.th. për tema e me qasjen me të cilën nuk pajtohesh.

Nuk e përjashtoj mundësinë që, në konkursin për të cilin po flas, për shembull, Fidani të dilte më i mirë në testim. Por, mua nuk më kanë ftuar fare! E, deri sa ti nuk i fton të gjithë kandidatët në një konkurs publik, së paku ata të cilët i plotësojnë kushtet formale, duket sikur po kurdis diçka.

Me statutin e shoqatës së gazetarëve kroatë, për shembull (meqë ra fjala, i cili me këtë tonin cung, është pakrahasueshëm më i plotë e më i mirë) është e përcaktuar që redaksitë duhet t’i marrin gazetarët me konkurs dhe t’i zgjedhin më të mirët. Përndryshe bjen niveli i profesionalizmit e me këtë edhe çmimi i gazetarisë. Me këtë ata vetëm sa e mbrojnë zejen e tyre.

Pse po e tregoj këtë? Për shkak se, sikur gazetarët tanë sot t’i përmbaheshin këtij parimi, pra të gazetarisë së lirë e profesioniste, jam më së i sigurt se në 90 për qind të rasteve do të duhej ta lënë punën.