Nënshkrimi i Protokollit, urime dhe reagime nga vendi, rajoni dhe bota

Ka pasur urime të shumta kryesisht përmes rrjeteve sociale. “Urime, një kontribut për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”,- shkruan në Twiter eurokomisioneri, Johanes  Hahn.
“Kemi siguruar siguri dhe paqe. Gjeneratat tona dhe fëmijët tanë do të jetojnë më mirë, në një vend dhe një rajon që ndriçojnë me shpresë. Urime, të jemi krenarë”, shkruan kryeministri  Zaev në profilin e tij në Facebook.
“E jashtëzakontë! Sot po korrim atë që kemi mbjellë gjatë dekadave pas nesh, bashkë dhe të palëkundur nga qëllimi”,- shkruan lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Nga presidenca uruan nënshkrimin e Protokollit, por përkujtuan se çfarë sakrifikoi qeveria për këtë nënshkrim.
“Për fat të keq, mbetet fakti se nënshkrimit të sotëm të Protokollit i ka paraprirë nënshkrimi i marrëveshjes për ndryshim të emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, që i ka shkaktuar dëm të përhershëm interesave kombëtare të Maqedonisë”,– thuhet në kumtesën e Presidencës.
Edhe VMRO vlerëson se data e sotme është historike por përkujton se kushtet ishin plotësuar që në Bukuresht. Opozita akuzoi Zaevin për shitje të identitetit dhe gjuhës.
“Zoran Zaev dhe qeveria bënë tregti me identitetin, gjuhën dhe traditën, gjëra që na janë lënë nga gjeneratat e mëparshme dhe të cilat janë themel i karakterit shtetëror dhe kombëtar të Maqedonisë”,– deklaroi Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
Kryeparlamentari Xhaferi vlerëson se vendi tanimë edhe zyrtarisht e ka të hapur rrugën drejt NATO-s dhe pret ratifikimin nga parlamentet përkatëse.
“Ne shpresojmë që kjo do të fillojë ditën e premte me Parlamentin e Republikës së Greqisë, me çka hapet rruga e gjithë parlamenteve tjera, urime!”,– u shpreh kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
Nga Zyra e NATO-s në Shkup përkujtojnë se procesi do të jetë i gjatë, por ndihma nuk do të mungojë.
“Zyra e NATO-s është këtu që t’ju këshillojë, t’ju mbështesë deri në moment të fundit, kur të bëheni anëtare e Aleancës, që do të jetë një proces pak më i gjatë integrues”,– tha shefi i Zyrës së NATO-s në Maqedoni, Zoran Jankoviq.
Urime erdhën edhe nga partitë e tjera shqiptare. “Është një kontribut i të gjitha partive politike. Jemi krenarë që jemi pjesë e kësaj arritje historike”,- thotë në reagimin e tij kreu i Lëvizjes, Besa Bilall Kasami. “Më në fund arritëm ta prekim ëndrrën. Vendi ynë, bashkë me ShBA-të, vendet e BE-së, Shqipërinë dhe Turqinë, po bëhet anëtar i NATO-s. Urime!”,– shkruan kreu i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi.
ASh kërkon që Maqedonia të reflektojë vlerat euroatlantike në çdo sferë të jetës. “Gjykatat e Maqedonisë, doemos t’ju ngjajnë për nga profesionalizmi gjykatave të shteteve të NATO-s, pa mos përjashtuar administratën publike, shëndetësinë, kulturën dhe arsimin, që duhet të jenë përkrah vlerave euroatlantike”,– thonë nga ASh. Nënshkrimin e Protokollit e përshëndeti edhe ambasada e ShBA-së në Shkup, që e cilësoi këtë akt si historik për Maqedoninë. Urime pa dyshim edhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare. Presidentët, Meta e Thaçi, dhe personalitetet e larta të ekzekutivit në dy vendet shqiptare, përkujtojnë  sesa më shumë vende të rajonit që janë pjesë e NATO-s, rajoni do të jetë më i sigurt dhe më stabil./TVM2/