Nesër Zaev lëshon rrugën Qeverisë teknike

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev nesër përfundon mandatin e tij si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ai më 3 janar do të duhet që të tërhiqet duke i hapur rrugë Qeverisë teknike me mandate 3 mujor, e cila do të jetë e fokusuar në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit.

Zaev u detyrua të largohet nga detyra gati një vit pa e përfunduar mandatin 4 vjeçar.

Ai pranoi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas këmbënguljes së partive opozitare.

Ekonomisti 45 vjeçar nga Strumica erdhi në pushtet në fund të dhjetorit të 2016, pas protestave dhe aferës së përgjimeve, ku ai ishte protagonisti kryesor që shpalosi biseda e përgjuara, që ishin bërë nga ana e qeverisjes së kaluar të ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

Zaev do të njihet si një nga kryeministrat e suksesshëm që mbylli kontestin dydekadësh të emrit me Greqinë, por edhe marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.

Këto dy çështja të vështira, i hapën rrugë anëtarësimit të vendit në NATO.

Ky proces pritet që të përmbyllet gjatë muajve të ardhshëm.

Por premtimet në hapjen e bisedimeve me BE-në nuk ishin të suksesshme për Zaevin dhe Qeverinë e tij.

Në përputhje me procedurat kushtetuese dhe sipas marrëveshjes së Përzhinës, 90 ditë para zgjedhjeve duhet të formohet Qeveria teknike, që do të thotë më 3 janar.

Kryeministri teknik është propozuar Oliver Spasovski, ministri aktual i MPB-së. Ndërsa opozita e VMRO-së do udhëheq me ministrinë e MPB.

Ndërsa, Zaev do të jetë i fokusuar në strukturat partiake si lideri i LSDM, i cili do ti prijë fushatën për zgjedhjet e 12 prillit.

Kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski ka publikuar një video në Facebook, ku shihet në praninë e kandidatëve për ministra dhe zëvendësministra të Qeverisë teknike nga radhët e partisë së tij.

Kreu opozitar ka deklaruar se premtova punë dhe përkushtim për rezultate reale për shkak se sipas tij, populli nuk guxon të dëshpërohet.

“Mijëra fate presin kohëra më të mira dhe ndryshime. Bashkërisht të punojmë për Maqedoninë që po rindërtohet. Është përgjegjësi të cilën e pranoj”, ka shkruar Mickoski.

Ai shtoi se kabineti i tij dhe njerëzit që do të emërohen në Qeverinë teknike do ta mbrojnë vullnetin e popullit dhe se viti i ri sjell shpresë, mundësi dhe ndryshme që do të sjellin rindërtimin.

Të premten pritet të formohet Qeveria teknike e përbërë nga përfaqësues të opozitës dhe të pushtetit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski thotë se qeveria teknike do të votohet në Kuvend më 3 janar ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 12 prill.

Duke folur për dallime mes pushtetit dhe opozitës për ministrin teknik të punëve të brendshme, Spasovski thotë se VMRO-ja duhet të respektoj kushtetutën andaj edhe pret propozim të ri.

Ai kërkoi nga opozita që ta respektojë Kushtetutën kur bëhet fjalë për ministrin e ri teknik të punëve të brendshme. Spasovski shpreson se VMRO-DPMNE do të propozojë kandidat të ri.

“Mendoj se atë do ta bëjnë dhe bashkërisht do të hyjmë në qeverinë kalimtare e cila do të duhet t’i përfundojë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet”, deklaroi Oliver Spasovski.