Nevzat Bejta: Si u arrestuam për flamur unë, vëllai dhe babai im (VIDEO)

Ish kryetari i komunës së Gostivarit dhe nënkryetari i BDI-së, Nevzad Bejta, ka rrëfyer vuajtjet që ka përjetuar nga policia maqedonase ai, babai dhe vëllai i tij më 9 korrik të vitit 1997, kur forcat e sigurisë së asaj kohe ndërmorën një aksion të përgjakshëm për largimin e flamurit kombëtarë shqiptarë nga selia e komunës së Gotivarit. Në përvjetorin e 107-të të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorë, Bejta ka vendosur të shpalosë për herë të parë gjithë atë çfarë kishte ngjarë me shqiptarët që kishin dal për të protestuar në mënyrë paqësore kundër largimit të flamurit kombëtarë nga objekti komunal.
Rrëfimin e nis me ngjarjet në shtëpinë e tij, ku policia fillimisht ia kishte arrestuar vëllain Xhevat Bejtën, i cili në atë kohë punonte sekretar në komunën e Gostivarit, që drejtohej nga Rufi Osmani.

Në rrëfimin e tij për gazetën LAJM, Nevzad Bejta tregon se si ai dhe babai i tij kishin pësuar në momentin që kishin dalë për ta kërkuar Xhevatin. “Policia na rrahu e torturoi në mënyrë ç’njerëzore ndërsa babait tim ia thyen disa brinjë dhe dhëmbë”, rrëfen Bejta.

Pas keqtrajtimit, Bejta sqaron se ishte dërguar në burgun e Tetovës, ndërsa pas daljes nga burgu thotë se vëllain e tij nuk e kishte njohur për shkak të keqtrajtimeve dhe rrahjes brutale nga policia maqedonase.

Bejta kujton vuajtjet e banorëve të Gostivarit që kishin dal në protesta për të kundërshtuar largimin e flamurit kombëtarë nga selia e Komunës. Ai thotë se sikur shumë shqiptarë edhe familja e tij ka sakrifikuar shumë për flamurin shqiptarë dhe çështjen kombëtare.

Në ngjarjet tragjike të 9 Korrikut, u vranë tre shqiptarë dhe u plagosën mbi 100 të tjerë që po protestonin në mënyrë paqësore kundër largimit të flamurit kombëtar shqiptarë nga godina e Komunës së Gostivarit. Policia maqedonase kishte arrestuar edhe shumë veprimtarë, në mesin e të cilëve edhe kryetarin e atëherëshëm të Gostivarit, Rufi Osmani, i cili u dënua me burg. Ngritjen e flamurit shqiptarë në selinë e Komunës, Qeveria e atëhershme e Branko Cërvenkovskit dhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e kishte cilësuar si kërcënim ndaj sovranitetit të shtetit.