Nis takimi në Ohër mes Zaevit, Ramës dhe Vuçiqit

Ka nisur në Ohër takimi i dytë i tre prej liderëve të Ballkanit Perëndimor. Zoran Zaev, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq janë takuar për herë të dytë brenda një muaji, pas Novi Sadit, për të diskutuar mbi të ashtuquajturin “Schengen Ballkanik”.

Në takim do të diskutohet për zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve midis Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

Synimi i takimit është gjetja e dakordësisë për një listë masash prioritare, kryesisht në kuadër të masave të “REA MAP”, për t’i zbatuar me ritëm të përshpejtuar brenda 2020-ës dhe idealisht, para Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit.

Në takimin e Ohrit do të diskutohen edhe disa masa praktike por me ndikim në tregti mes vendeve tona në Ballkanin perëndimor përfshi pasjen e një udhërrëfyesi, për modernizimin e infrastrukturës së pikave të kalimit aty ku është e mundur, për heqjen e disa procedurave burokratike e të cilat mund të digjitalizohen etj.

Ndërkohë, Oranews raporton se në këtë mbledhje nuk do të ketë prani të Kosovës, edhe pse pak ditë më parë ishte Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i cili ftoi Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën në këtë takim.

Ka qenë Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka konfirmuar për RTV ORA se nuk do të jetë pjesë e Samitit.

“Nuk do të jem pjesë e Samitit pasi ftesa ka ardhur shumë vonë, sot, dhe unë ndodhem jashtë shtetit dhe e kam të pamundur të jem”, ka thënë Pacolli.

Pas takimit Zaev-Rama-Vuçiq, presidenti Stevo Pendarovski ka rezervuar një darkë me treshen. Në agjendën e këtij takimi do të jetë një mbledhje pune ku përveç tre liderëve të Ballkanit Perëndimor do të marrin pjesë kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi.