Një i burgosur humb jetën në Burgun e Kumanovës

Të dielën në mëngjes (24 nëntor), në Burgun e Kumanovës, është gjetur i vdekur një i burgosur, njoftoi Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve (DES). Shkaqet e vdekjes, siç njoftojnë nga DES-i, do të dihet pas pranimit të raportit të autopsisë.

“Rreth orës 7:30 të mëngjesi, gjatë kontrollit rutinor të gjendjes numerike të personave të dënuar, komandanti kujdestar së bashku me një mbikëqyrës të ri, poashtu pjesëtar i policisë së burgut, në katin e parë të repartit të mbyllur, në dhomën ku ka qëndruar personi L.B, në pozicion të fjetjes e kanë gjetur personin e dënuar pa shenja jete”, thuhet në komunikatën e Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve.

Menjëherë, më pas siç njoftojnë nga DES-i, është thirrur ndihma e shpejtë mjekësore, e cila në burg ka arritur në ora 08:15 minuta, megjithatë mjekët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, për arsye se personi më kishte ndërruar jetë. Poashtu është konstatuar se nuk ka shenja të dhunës.

Njëkohësisht, nga DES-i, potencojnë se pas kontrollimit të xhirimeve nga kamerat në repartin e sigurisë, është konstatuar se gjatë natës askush nuk është futur në dhomën e të dënuarit, gjegjësisht atje bashkë me të nuk kanë qëndruar persona tjerë të dënuar.

“Afër qelisë së tij ekziston dhoma për mbikëqyrje e personave të dënuar dhe nga ana e policisë së burgut, si dhe nga personat e dënuar në repartin e mbyllur nuk është vërejtur asgjë e pazakonshme gjatë natës, para ngjarjes së rëndë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e DES-it.