Një person ka shtënë me armë zjarri kundër policisë në Kumanovë

Një sulmues i panjohur ka shtënë në drejtim të patrullës policore në Kumanovë, ndërsa para saj, personi i njejtë i ka vënë zjarrin një makine policore.

Incidenti ka ndodhur herët në mëngjes rreth orës 02 e 10 minuta. Policët kanë vërejtur se një person ka tentuar të vë zjarrin makinës “Spark” të policisë së trafikut. Makina është djegur para Shtëpisë së Armatës ku ka qenë e parkuar, por policët janë vënë në kërkim të sulmuesit.
Pas rreth 300 metrash ndjekje policët kanë arritur t’i afrohen sulmuesit, i cili në vend që të dëgjojë urdhrin policor, ka nxjerr armën dhe ka shtënë disa plumba në drejtim të policëve.

Nuk ka të lënduar ndërsa sulmuesi është arratisur.
Policia për momentin nuk ka informacione për identitetin e sulmuesit dhe po heton rastin.